Qendra e Shërbimeve Arsimore: Teza e provimit të matematikës nuk kishte asgjë jashtë programit

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Drejtoria e Qendrës së Shërbimeve Arsimore deklaroi sot se teza e provimit të matematikës nuk kishte asnjë gjë jashtë programit mësimor.

Në një konferencë për shtyp përfaqësuesja e QSHA-së, theksoi se “nxënësit e mirë nuk kanë pasur vështirësi. Kërkesa e parë ishte e nivelit të dytë, kërkesa e dytë është e nivelit të tretë. Mund ta zgjidhnin me kë mënyrë të duan, pasi kanë parë çelësin. Në kërkesën e parë  thjesht do gjenin rrënjët e polinomit. Nuk besoj se kanë hasur vështirësi nxënësit e mirë, ata të nivelit 8, 9, 10. Pjesën tjetër mund ta zgjidhnin me studim shenje, me grafik apo pikë provë. Nga korrigjimi do shohim se si kanë reaguar në këto teste. Pyetja tjetër me ekuacionin e drejtëzës hyn në nivelin e tretë, ka ushtrime të tilla pa fund. Teza është e nivelit mesatar, nuk ka asgjë jashtë programit dhe nuk ka asnjë gabim shkencor”.

“Sa i përket asaj që thonë; e përkthyer. Tekstet në shkollë janë të përkthyera. Polinomet janë ato që janë, nuk është çështje kopjimi dhe nuk janë të nivelit të Cambridge. Edhe nivelin e Cambridge nxënësit tanë e bëjnë. Pasi kanë parë skemën e provimit do jenë qetësuar. Duke folur me koleget tek korrigjimi ato u shprehën se në fillim dolën të mërzitur, por shpresoj që një pjesë e tyre janë qetësuar. Pastaj nxënës që kanë hyrë me mendimin që; ‘unë do kopjoj’, është gjë tjetër gjë kjo. Aty ka pasur ushtrime të nivelit edhe për nxënësit mesatarë”, – tha përfaqësuesja e QSHA-së.

Ndërsa drejtoresha e QSHA-së, Rezana Vrapi, u shpreh se “ne kemi një praktikë që nëse në fund të korrigjimit, kur të mbledhim rezultatet, pa u shpallur ato, ne bëjmë verifikim të testit. Nëse na rezulton që një pyetje mund të ketë kaluar pritshmëritë tona, atëherë në këto momente do të bëjmë verifikimin e saj dhe do të shohim nëse do të kalojë në situatë tjetër që do të jepet si pikë apo të shikojmë si vendimmarrje. Por nuk mund ta themi tani pa parë rezultatin real. Kjo nuk është vetëm për matematikën, por edhe për të gjitha lëndët edhe ato me zgjedhje”.

“Nëse identifikojmë një pyetje të tillë kalon në tjetër procedurë për të mos penalizuar asnjë nga maturantët. Ne do të jemi shumë transparentë qoftë me maturantët, por edhe me të interesuarit e tjerë”, – tha Vrapi.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.