Protesta e maturantëve/ Kushi: Po rishikohen vështirësitë, nëse tejkalohet niveli rishikojmë vlerësimin

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka reaguar pas protestës së zhvilluar nga maturantët për vështirësinë në provimin e matematikës.

Në reagimin e saj ministrja thekson se grupet e ekspertëve po vlerësojnë nivelin e vështirësisë së testit ku nëse do vihet re se tejkalon nivelin e parashikuar do rishikohen pikët dhe mënyra e vlerësimit.

“Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit. Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës”, shprehet Kushi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.