LONDËR – Samiti Biden-Putin, asnjë konferencë e përbashkët për shtyp

CARBYS BAY, 12 qershor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Joe Biden do të shprehet, vetëm, gjatë një konference shtypi në përfundim të takimit që do të zhvillohet të mërkurën në Gjenevë me homologun rus, Vladimir Putin, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.

“Ne dëshirojmë që ky takim të mundësojë shkëmbime të sinqerta dhe të drejtpërdrejta”, theksoi një zyrtar i ekzekutivit amerikan.

Për Shtëpinë e Bardhë, një konferencë shtypi “vetëm” është formati i duhur për të prezantuar qartë temat që janë ngritur, si për mosmarrëveshjet e mundshme ashtu edhe për temat për të cilat SHBA ka shqetësime reale.

Ekzekutivi i SHBA-së specifikoi se takimi do të përfshinte një sesion pune dhe një sesion në format më të reduktuar, pa detaje të mëtejshme mbi këtë të fundit.

Ukraina, Bjellorusia, fati i kundërshtarit rus të burgosur Alexeï Navalny, sulmet kibernetike,  diskutimet pritet të jenë të vështira.

Shtëpia e Bardhë është shprehur që prej disa javësh se synon t’i bëjë marrëdhëniet midis dy vendeve më të qëndrueshme dhe të parashikueshme./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.