DW: Shqipëria ngjitet në çatinë e botës, po me cilat prioritete

TIRANË, 12 qershor /ATSH – I. Vata/ Shqipëria u zgjodh dje anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit. “Deutsche Welle” në gjuhën shqipe i ka kushtuar një artikull kësaj ngjarjeje të cilësuar të jashtëzakonshme për vendin.

“Duke filluar nga 1 janari i vitit 2022, Shqipëria do të ulet për dy vjet rresht në një nga pesëmbëdhjetë ulëset e organit të OKB për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Shqipëria do të ketë kështu një votë në vendimet që merren nga Këshilli i Sigurimit. Është kjo hera e parë që Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit, që prej anëtarësimit në OKB më 1955. Në votimin e bërë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, Shqipëria mori 170 vota nga 190 vendet që votuan”, shkruan DW.

Përfaqësuese e grupit të vendeve europianolindore

“Shqipëria është në këtë ulëse, përfaqësuese e grupit të vendeve europianolindore. Që të kandidonte Shqipërisë iu desh fillimisht të marrë pëlqimin nga 23 shtetet e grupit të vendeve europiane lindore. Zgjedhja e një përfaqësuesi nga ky grup bëhet një herë në dy vjet, në vitin tek. Pas vitit 1991 ky grup është zgjeruar me 15 anëtarë, për shkak të shteteve të reja të krijuara nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Çekosllovakisë dhe Jugosllavisë. 11 vende të grupit janë anëtare të Bashkimit Europian, katër janë kandidatë, mes tyre Shqipëria”, shkruan DW.

Në “marrëveshjen e zotërinjve” të vitit 1946, ka pas qenë parashikuar që vendet e Europës Lindore të kenë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Por kjo nuk u realizua asnjëherë dhe Bashkimi Sovjetik dhe Perëndimi për 20 vjet me radhë patën ulur kandidatin e tyre të preferuar në këtë ndenjëse. Ky vend ka pas qenë shumë i preferuar mes shteteve as këndej e as andej, pra pa ndarje të qartë rajonale dhe politike, si për shembull Filipinet dhe Jugosllavia dikur.

Përveç grupit të vendeve europiano lindore, vendet bëhen bashkë në grupin afrikan me 54 shtete, grupin e Azisë dhe Paqësorit me 54 shtete, grupin e Amerikës Latine dhe Karaibeve me 33 shtete dhe grupin e europianoperëndimorëve dhe vendeve të tjera me 28 shtete. 63 vende, mes tyre edhe Shqipëria nuk kanë qenë deri tani asnjëherë anëtarë të Këshillit të Sigurimit.

Prioritetet e Shqipërisë

Kandidimin Shqipëria e ka bërë që më 2009 dhe ka theksuar në fushatë se do të sjellë në Këshillin e Sigurimit perspektivën e një vendi të vogël me politikë të jashtme konstruktive dhe përkushtim ndaj multilaterizmit.

Pesë çështje janë kyçe për Shqipërinë: gruaja, paqja dhe siguria, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, të drejtat e njeriut, klima dhe siguria dhe metodat e punës së Këshillit të Sigurimit.Çështjet kryesore dy vitet e ardhshme

Disa nga çështjet që do e shoqërojnë Këshillin e Sigurimit më 2022 janë Izraeli dhe Palestina, Mjanmari, Siria dhe Ukraina. Po ashtu vazhdimi i marrëveshjeve për operacionet e paqes, mandati i tyre, kostot dhe rritja e efektivitetit. Disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit mendojnë se ushqimi dhe klima duhet të futen në çështjet e sigurisë dhe paqes ndërkombëtare. Disa vende të tjera jo. Për shembull, Shqipëria, Gana, Gaboni dhe Emiratet e Bashkuara kërkojnë rritjen e rolit të Këshillit të Sigurimit në ndryshimin e klimës dhe çështjet e sigurisë. Kurse Kina, Rusia, India dhe Brazili kanë rezerva për punën e Këshillit në këtë pikë.

Angazhimi i KS në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm pritet të shtohet më 2022 po ashtu si përpjekjet për zbatimin e axhendës gruaja, paqja dhe siguria”, shkruan Deutsche Welle. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.