Kërcënimi i Prokurorit të Përmetit, reagon Gjonaj

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka reaguar sot në lidhje me rastin e raportuar në media të kërcënimit të Prokurorit të Përmetit, Asllan Bajrami.

Gjonaj theksoi se fuqizimi përmes Komisionit të Mbrojtjes së Prokurorëve dhe Gjyqtarëve, do të duhet të vijojë më tej, duke u dhënë më shumë mbështetje e mbrojtje të gjithë magjistratëve.

“Jam një ndër mbështetësit tuaj, në çfarëdolloj situate që do të keni, me qëllim që të ushtroni me përgjegjshmëri detyrën tuaj. Janë raste fatkeqe që dëgjon si rasti i Përmetit, i prokurorit të Përmetit kërcënimet që marrin. Prandaj edhe fuqizimi përmes Komisionit të Mbrojtjes së Prokurorëve dhe Gjyqtarëve, do të duhet të vijojë më tej, duke u dhënë më shumë mbështetje e mbrojtje të gjithë magjistratëve, të cilët ndihen të rrezikuar për shkak të detyrës nga faktorë të ndryshëm”, tha Gjonaj.

Deklarata e ministres u bënë gjatë një takimi në Shkodër, së bashku me përfaqësuesen e UNDP-së në Shqipëri, Limya Eltayeb, ambasadorin austriak Christian Steiner dhe drejtuesen e Zyrës Qendrore të Agjencisë Austriake për Zhvillim, Simone Ungerzboeck.

Mediat raportuan se prokurori i Përmetit, Asllan Bajrami është kërcënuar në krye të detyrës, teksa i është vendosur një fishek në dritaren e zyrës së tij.

Sipas medieve, prokurori ka depozituar kallëzim, ndërsa policia ka nisur hetim për ngjarjen.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.