G7 – Johnson përballet me takime të vështira me liderët e BE-së

LONDËR, 12 qershor /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson do të zhvillojë bisedime me aktorët kryesorë të Bashkimit Europian, pasi mosmarrëveshja tregtare me Irlandën e Veriut pas Brexit ka kërcënuar të prishë mikpritjen e tij në samitin e G7-s.

Kryeministri do të takojë kreun e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, kreun e Këshillit Europian Charles Michel, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel në kuadër të G7-s.

Agjenda kryesore e samitit do të shohë udhëheqësit të angazhohen për një plan të ri për të parandaluar përsëritjen e pandemisë Covid-19.

Johnson përballet me një seri takimesh potencialisht të komplikuara me përfaqësues të nivelit të lartë të BE në samit.

Downing Street tregoi se Britania e Madhe do të ishte e gatshme të vononte në mënyrë të njëanshme zbatimin e plotë të Protokollit të Irlandës së Veriut në mënyrë që të parandalonte ndalimin e mishit të ngrirë që kalon Detin e Irlandës nga Britania e Madhe.

Johnson sugjeroi që BE po merr një qasje “tepër të rëndë” për marrëveshjet tregtare pas Brexit për Irlandën e Veriut. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.