TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Shëngjini po përgatitet për nisjen e sezonit turistik, duke garantuar jo vetëm pastërtinë e bregdetit, por edhe një qytet e ambient të pastër në tërësi.
Punonjësit e bashkisë së Lezhës u angazhuan sot për pastrimin e vijës bregdetare të Shëngjinit dhe për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për sezonin e ri turistik.
Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu u ndal sot te puna e madhe që po bëhet për të siguruar një bregdet të pastër për pushuesit.
“Në Shëngjin puna për plazh të pastër fillon herët dhe mbaron në darkë vonë”, tha ai.
Bashkia e Lezhës po tregon kujdes dhe vëmendje për gjithë bregdetin e Lezhës dhe zonat e tjera turistike për të krijuar gjithë kushtet e nevojshme që pushuesit të kalojnë një sezon turistik të qetë e sa më komod.
Shëngjini ndodhet 58 kilometra nga Tirana, ndërsa qyteti i Lezhës ndodhet vetëm 7 kilometra larg tij.
Plazhet e Shëngjinit janë të njohura për rërën e pastër dhe ujin e ngrohtë. Një nga plazhet që tërheq vëmendjen e pushuesve është ai i “Ranës së hedhun”, si dhe plazhet e Kunes dhe Tales.
/m.m//a.a/r.e/





















