Nis zbatimi i projektit të ri të Bankës Botërore për tregjet e kapitalit

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i AMF-së, Ervin Mete zhvilloi një takim online me përfaqësuesin e ri të përhershëm të Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas dhe Maryam Salim, e cila përfundon mandatin e saj 4-vjeçar si menaxhere e Bankës Botërore në vendin tonë.

Takimi u zhvillua në nisje të zbatimit të projektit të asistencës teknike të financuar nga Sekretariati Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) dhe me mbështetjen e Bankës Botërore për “Forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF-së për tregjet e kapitalit”.

Projekti do të shërbejë për hartimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit të ri për tregjet e kapitalit, fuqizimin e mbikëqyrjes me bazë rreziku, zhvillimin e kapaciteteve mbikëqyrëse, si dhe ndërmarrjen e nismave për zhvillimin e tregut të kapitaleve përmes rritjes së edukimit financiar.

Kreu i AMF-së, Mete vlerësoi rolin që Banka Botërore ka luajtur ndër vite në rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse dhe përmirësimin e kuadrit rregullator të Autoritetit.

Pjesëmarrësit në takim evidentuan progresin e bërë nga Autoriteti në drejtim të forcimit të rolit rregullator dhe mbikëqyrës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.