Ballina Bota

HAGË – Cooke: Qasja në vaksina të garantohet në të gjithë botën

HAGË, 11 qershor /ATSH-AFP/ – Kreu i Agjencisë Europiane të Barnave (EMA), Emer Cooke bëri thirrje që e gjithë bota të ketë qasje në vaksinat antiCOVID-19, ndërsa fuqitë e mëdha të G7-s pritet të sigurojnë një miliard doza për vendet më të varfra.

Cooke gjithashtu siguroi se rregullatori evropian mbetet “i sigurt për efektivitetin e vaksinave antiCOVID-19 përballë varianteve në qarkullim”, ndërsa vuri në dukje se situata mund të “evoluojë me shpejtësi”.

Udhëheqësit e G7-s priten të zyrtarizojnë në samitin e tyre në Gjirin Carbis, Angli, një premtim për të siguruar një miliard doza për më të varfrit.

“Kjo nuk është brenda kompetencave të EMA-së, kështu që unë mund të flas vetëm nga një këndvështrim personal dhe me të vërtetë mendoj se duhet të sigurojmë disponueshmërinë dhe qasjen e vaksinave në të gjithë botën dhe jo vetëm në vendet që mund ta përballojnë t’i paguajë ato”, tha Cooke.

Pas një fillimi të vështirë, fushata e vaksinimit në BE po përparon, ndër të tjera falë autorizimit nga EMA i vaksinave Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVaksinimi masiv antikovid/ 830 281 vaksinime që nga nisja e fushatës “Shqipëria buzëqesh”
Artikulli tjetërShqipëria zgjidhet anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, mbështetet nga 175 vende anëtare të OKB-së