“Bregdeti ynë”/ Hodaj: Aksioni do të vijojë në të gjithë vijën bregdetare

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj deklaroi sot në një intervistë televizive se, aksioni “Bregdeti ynë” për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonat turistike bregdetare do të vijojë në të gjithë vijë bregdetare.

Se pse aksioni “Bregdeti ynë” për prishjen e ndërtimeve pa leje nisi nga dy skajet e vendit Ksamil dhe Velipojë, Hodaj tha se, “nuk është e rastësishme që fillon nga dy skajet e vendit. Pra fillon në dy zona turistike që kanë goxha frekuentim gjatë periudhës së verës dhe aksioni do vazhdojë nga Ksamili dhe Velipoja, respektivisht në drejtim të veriut dhe në drejtim të jugut përgjatë gjithë vijë bregdetare, për t’u spostuar më pas në zonat e tjera turistike. Sepse falë Zotit Shqipëria nuk ka vetëm vijë bregdetare, por ka edhe zona të tjera, megjithëse ajo është zona më e çmuar, por ka edhe problematika të tjera në brendësi të vendit. Ka një plan të detajuar. Ka informacione mjaftueshëm që cilat janë objektet që duhet të prishen dhe këtu kemi parasysh dy lloje objektesh ato që nuk kanë asnjë lloj leje ndërtimi dhe ato që kanë shkelur lejet e ndërtimit”, tha Hodaj.

I pyetur se pse ky aksion nis në fillim të sezonit turistik, Hodaj tha sepse, “shumë prej ndërtimeve pa leje në dimër, duhet të kemi parasysh që ka dhe ndërtime të lehta, nuk flasim vetëm për ndërtime betoni masiv. Shumica e tentativave për të uzurpuar pronën publike për të ndërtuar në plazh bëhet pikërisht në këtë periudhë, nuk bëhet përpara. Kemi një shumicë ndërtimesh të lehta pra nga ato që montohen dhe çmontohen gati brenda ditës. Ato janë ndërtimeve që bllokojnë një pjesë të plazhit publik me pa të drejtë. Dhe përveçse uzurpojnë pronë publike që duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve, shtrembërojnë në mënyrë domethënëse edhe tregun. Sepse imagjinoni se çfarë ndodh kur dikush aplikon për një leje ndërtimi, paguan një taksë, paguan disa taksa, zhvillon një ndërtim me leje. Kurse ai ngjitur në mënyrë abuzive uzurpon tokë shtetërore, pa asnjë lloj kosto, vetëm koston e ndërtimit dhe kemi një pabarazi edhe në tregun edhe në atë që i ofrohet pushuesve”.

Hodaj sqaroi se, “aksioni i koordinuar është një gjë që tërheq shumë vëmendjen dhe me të drejtë flitet shumë për të, por të mos harrojmë që aksione të veçanta ka gjithë kohës”.

“Ka dy tipologji ndërtimet e lehta që montohen, ç’montohen në kohë relativisht të shpejtë. Ka edhe ndërtime të tjera edhe masive, të cilat janë problematikë e mbartur e viteve të shkuara që kanë qenë në procese gjyqësore ku kanë pasur masa sigurimi dhe sot nuk i kanë më këto masa sigurimi dhe mund të ndërhyhet. Apo që kanë qenë në procese legalizimi dhe janë s’kualifikuar nga procesi i legalizimit. Edhe kjo kategori hyn tek ato ndërtime pa leje që do të prishen. Pra kemi dy lloje. Kemi tentativa të sezonit për të uzurpuar pronën publike dhe për të ndërtuar pa leje. Kemi edhe një problematikë të mbartur nga vitet e shkuara edhe si pasojë e këtyre ose proceseve gjyqësore ose proceseve të legalizimit që tashmë kanë përfunduar”, nënvizoi Hodaj.

“Bëhet fjalë për ndërtime të rënda. Shumica dërrmuese prej tyre nuk janë problematikë e këtij viti, janë problematikë e viteve të shkuara, ku për arsye ligjore nuk është mundur të ndërhyhet. Mund të kenë qenë në procese ligjore që kanë marrë dikur masat e sigurimit që tashmë janë zhvleftësuar. E keni parasysh sesa zgjasin proceset gjyqësore në Shqipëri mund të zgjasin me vite. Dhe masat e sigurimit zgjasin po aq sa proceset gjyqësore. Kështu që aty duhet të ndërhyhet. Kemi ndërtime të reja të lehta që tentohen. Dhe këto janë ato struktura që ç’montohen, montohen shumë shpejt. Kemi edhe shtesa në strukturat ekzistuese. Të gjitha këto janë kategori e atyre që po prishen”, tha Hodaj.

I pyetur nëse ka pasur kundërshti, Hodaj tha se, “dje ka qenë dita e parë. Sot është dita e dytë që vazhdon akoma në terren në Ksamil dhe në Velipojë. Deri tani nuk ka pasur fërkime apo kundërshti nga ana e subjekteve. Kuptohet që asnjë nga subjektet nuk është i kënaqur se i prishet diçka, por na ka rezultuar që në një masë të madhe kanë dakordësuar që t’i çmontojnë vetë pa qenë nevoja e ndërhyrjes së mjeteve të rënda të IKMT-së apo edhe Policisë”.

Se çfarë parashikon ligji për ndërtimet pa leje Hodaj theksoi se, “përveç sanksionit administrativ, ka dhe ndjekje penale për ndërtim pa leje. Sidomos me ashpërsimet e Kodit Penal në lidhje me ndërtimet pa leje sanksioni shkon deri në 15 vjet burg”.

“Duhet të kemi parasysh ndjekja penale, nuk është fakultative. Pra nuk është një atribut që një oficer i Policisë Gjyqësore e ushtron apo nuk e ushtron. E ka për detyrë ta ushtrojë. Kështu që në mënyrë automatike në momentin që konstatohet një ndërtim pa leje ndërhyhet në të dy drejtimet, administrativisht nëpërmjet IMT-së së bashkisë, apo IKMT-së për prishje, ku vendoset dhe sanksioni administrativ përkatës që është gjobë. Shkohet edhe në procedim penal dhe referohen materialet në prokurori”, tha Hodaj.

Për mënyrën sesi është përpiluar lista e objekteve që duhet të prishen, Hodaj tha se, “lista e objekteve që konsiderohen pa leje vjen nga dy drejtime. Vjen nga lista e IMT-së së bashkisë që ka një vendim për prishje dhe nga lista e IKM-të, pra ato objekte me rëndësi kombëtare, ku ka edhe një listë vendimesh për prishje. Dhe për çdo objekt verifikohet gjithçka, verifikohet leja e ndërtimit nëse janë respektuar kriteret, verifikohet nëse ka certifikatë pronësie ose jo, verifikohet nëse është akoma në proces legalizimi ose jo, verifikohet nëse ka një masë sigurimi nga gjykata që nuk lejon të procedosh për prishje. Në rastin kur këto 4 kushte përmbushen procedohet me prishje”.

“Çdo rast verifikohet me detaje rast pas rasti. Verifikohen, jo vetëm pretendimet e atyre që janë subjektet që kanë ndërtimin ose presupozohen që kanë ndërtuar pa leje, por verifikohen edhe pretendimet që kanë në raport me subjektet e tjera. Sot ka edhe një proces verifikimi që po vazhdon për të gjitha ato ndërtime që ndodhen ndërmjet ndërtimeve që janë prishur. Edhe ato po verifikohen me detaje. Nga një verifikim i parë ka rezultuar janë në rregull. Janë marrë pretendimet e subjekteve të tjera që pretendojnë se janë në të njëjta kushte dhe po verifikohen me detaje dhe ato”, theksoi Hodaj.

Hodaj u shpreh se, “brenda listës ka edhe banesa, por janë shumë pak. Kryesisht është fokusuar tek pjesa bregdetare. Por nëse është afër vijës së bregdetit edhe banesa dhe Ksamili është e gjitha një zonë turistike dhe nuk mund të tolerohet është e pamundur që të injorohen apo të tolerohen. Dhe nuk do të tolerohet askush që ka një ndërtim pa leje dhe asnjë zyrtar që mbyll sytë përballë paligjshmërisë”.

Hodaj theksoi se, “ligji nuk bën dallim ndërmjet të ndërtuarit në tokë publike apo të ndërtuarit pa leje në pronë private. Ndërtimi pa leje ngelet ndërtim pa leje në të gjitha rastet. Në rastin e ndërtimit pa leje në tokë publike ka edhe një rrethanë rënduese tjetër që është zaptimi i tokës publike. Por në vetvete nuk ka ndonjë dallim ndërmjet të ndërtuarit në pronën private apo të ndërtuarit në një pronë publike, përsa i përket vetëm ndërtimit”.

I pyetur sesa është totali në të gjithë vendin i ndërtimeve të konstatuara në këtë fazë, Hodaj shtoi se, “kjo fazë presupozohet që të prekë gjithë bregdetin, prandaj të gjitha forcat janë të përqendruara në bregdet. Janë shumë. Por tek kjo tipologjia ku ne konsiderojmë numrat ku mund të themi 300 apo diçka e këtij lloji  ne konsiderojmë jo vetëm ndërtimet prej betoni, që janë ato që bien në sy, por konsiderojmë edhe ndërtimet e lehta, konsiderojmë edhe shtesat nëpër ndërtimet ekzistuese”.

“Shifrën e saktë të ndërtimeve të rënda nuk e kam, por janë në pakicë në raport me këtë numër që ju thashë. Shumica e numrit janë ndërtimet e thjeshta, të shpejta dhe që kryesisht tentohen në këtë periudhë”, tha Hodaj.

Nëse ka pasur vitin e fundit tentativa të ndërtimit pa leje të objekteve të rënda, Hodaj u shpreh se, “shumë pak. Kryesisht ndërtimet e rënda janë një tipologji e mbartur nga vitet e kaluara kryesisht. Nuk ka pasur tentativa për ndërtimeve masive. Tashmë në bregdet ka edhe një kontroll më të detajuar të territorit. Gjatë karantinës ishte edhe më e lehtë të kontrollohej, sepse edhe qarkullimi ishte i kufizuar, edhe numri i njerëzve që frekuentonin bregdetin ishte deri diku i kufizuar, sepse patëm atë mbyllje që patëm, por nuk ka pasur tentativa serioze për ndërtime të mëdha”.

Sesi do veprohet për mbeturinat pas prishjes së objekteve, Hodaj tha se, “ligji i ri. Edhe ligji për mjedisin parashikon që ndotësi paguan. Pra ai që ka ndërtuar pa leje është i detyruar të paguajë një më një shpenzimet edhe për pastrimin e territorit. Që do të thotë ose do ta bëjë vetë dhe është më mirë ta bëjë vetë, ose do ta bëjë shteti për llogari të tij dhe në fund fare do paguajë kostot”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.