Mbi 49 mijë fermerë janë pajisur me NIPT

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Fermerët të cilët shesin produktet e tyre po regjistrohen në zyrat rajonale tatimore duke u pajisur me numër identifikimi të personit të tatueshëm (NIPT).

Në këtë moment, fermerët zotërojnë personalitet juridik, e si të tillë janë objekt i regjistrit
statistikor të ndërmarrjeve që INSTAT mirëmban dhe përditëson.

Sipas raportit të fundit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), numri i fermerëve të pajisur me NIPT në fund të vitit 2020 është mbi 49 mijë. Referuar të dhënave, 5517 ferma drejtohen nga gratë.

Prej disa vitesh qeveria është kthyer në një partnere të fermerit në vend. Menjëherë me kryerjen e reformës territoriale administrative dhe me krijimin e 61 bashkive të reja që janë njësi administrative dhe ekonomike, qeveria i kushtoi rilindjes në fshat paketën më të madhe financiare.

Nga 130 mijë ha tokë afërsisht hektarë që ishin nën ujë në vitin 2013, sot llogariten 225 mijë hektarë.

Qeveria po ashtu ka hartuar programe financimi për stimulimin e pikave të grumbullimit, frigoriferëve dhe linjave të përpunimit.

Nga ana tjetër eksportet e produkteve bujqësore në 8 vite u rritën me katër fish ndërsa parashikohet që në fund të 2025-s ato të shkojnë në 1 miliard dollarë.

Vetëm nga skema e mbështetjes së subvencionimit të karburanteve pritet të përfitojnë më mijëra sipërmarrje në fushën e bujqësisë, të cilët tashmë janë të regjistruar dhe kanë një NIPT. Kjo pritet të ndikojë pozitivisht edhe në formalizimin e fermerëve. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.