VJENË, 1 qershor /ATSH-DPA/ – Ministrja austriake e Integrimit, Susanne Raab mbrojti një të ashtuquajtur “hartë” e islamit politik.
“Ky në asnjë mënyrë nuk është një dyshim i përgjithshëm ndaj myslimanëve”, i tha Raab gazetës gjermane ”Die Welt”.
“Bëhet fjalë për luftën e përbashkët kundër islamit politik si terren për ekstremizmin”, shtoi ajo.
Përfaqësuesit e opozitës austriake dhe grupeve myslimane kanë kritikuar faktin se të gjitha organizatat islamike janë paraqitur në hartë, pavarësisht nëse ato kanë apo jo tendenca islamike antidemokratike.
”Harta” tregon 623 organizata, shoqata, xhami dhe vendndodhjet e tyre në Austri, dhe u krijua në emër të një Qendre të Dokumentimit për Islamin Politik, e themeluar në 2015 si një fond i pavarur i Republikës së Austrisë.
Shoqata ”Rinia Myslimane e Austrisë” kishte deklaruar të shtunën se do të paraqesë një ankesë kundër ”hartës”.
Të hënën Këshilli i Europës ftoi Austrinë të tërheqë ”hartën”.
Përfaqësuesi Special i Këshillit për Krimet e Urrejtjes dhe Antisemitizmit, Daniel Hoeltgen, tha se shumë myslimanë ndiheshin të stigmatizuar dhe të kërcënuar për sigurinë e tyre nga botimi i adresave dhe detajeve të tjera.
Raab hodhi poshtë kritikat se ”harta” mund të vinte në rrezik përfaqësuesit myslimanë. /os/























