TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nën drejtimin e kryetarit, Ramazan Gjuzi diskutoi dhe miratoi projektrezolutën për veprimtarinë e AMA-s gjatë vitit 2020.
Relatorja e projektrezolutës, deputetja Vilma Bello, në fjalën e saj vlerësoi punën e bërë nga AMA përgjatë vitit 2020, rëndësinë e saj dhe bashkëpunimet e AMA-s me institucionet e tjera.
Bello vlerësoi punën e bërë për përmbylljen me sukses të procesit të digjitalizimit të të gjitha kanaleve, pavarësisht vështirësive të pandemisë COVID -19.
Ajo vlerësoi masat për sensibilizimin e qytetarëve, nëpërmjet transmetimit të mesazheve dhe ndjekjen e fushatës së informimit për situatën pandemike në vend duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse, si dhe finalizimin e kanalit RTSH – shkollë në një kohë rekord.
Gjithashtu në fjalën e saj Bello u ndal në rekomandimet drejtuar Autoritetit të Mediave Audiovizive për përmirësimin e punës përgjatë vitit 2021.
Pas diskutimeve dhe pyetjeve të ndryshme, anëtarët e komisionit miratuan me shumicë votash projektrezolutën në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare. /j.p/r.e/























