Dita e Pavarësisë së Malit të Zi/ Meta pret përfaqësues të pakicës malazeze

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Presidenti Ilir Meta uroi sot 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Malit të Zi, duke e cilësuar “ngjarje të rëndësishme historike, jo vetëm për popullin e Malit të Zi dhe të ardhmen e tij euroatlantike, por edhe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit”.

“Urimet më të mira dhe të sinqerta në këtë përvjetor të shënuar për qytetarët e këtij shteti fqinj dhe mik me Shqipërinë, si dhe veçanërisht për shqiptarët që jetojnë atje, të cilët dëshmojnë çdo ditë se janë të vendosur të kontribuojnë për stabilitetin e këtij vendi anëtar të NATO-s dhe të ardhmen e tij në Bashkimin Europian”, u shpreh Meta.

“I lumtur, që në këtë ditë të shënuar për Malin e Zi, që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor, Dialogut dhe Zhvillimit, të mikprisja sot në institucionin e Presidentit edhe përfaqësues të pakicës malazeze në vendin tonë”, theksoi Meta.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.