OSBE mbështetje bashkisë Elbasan në ngritjen e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, priti sot në takim kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Vincenzo Del Monaco.
Gjatë takimit, Llatja dhe Del Monaco diskutuan për rolin e gruas dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje, menaxhimin e zgjedhjeve të 25 prillit në Elbasan si dhe hapat e mëtejshëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes së madhe europiane.
“Mbështetja e vazhdueshme e OSBE-së në ngritjen e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike është vetëm fillimi i bashkëpunimit tonë të ngushtë”, – tha Llatja.
Kreu i OSBE-së tha se “kjo është vizita e parë zyrtare që po bëj në një bashki jashtë Tiranës. Me Elbasanin kemi një bashkëpunim afatgjatë. Sikurse e përmendi edhe Kryetari i bashkisë, ne diskutuam gjerë e gjatë për Këshillin Vendor për Sigurinë Publike dhe për kontributin që ky organ i rëndësishëm këshillimor jep në jetën politike, sociale dhe ekonomike të qytetit”.
“Gjithashtu, diskutuam edhe për rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në debatet që lidhen me sigurinë. Puna me rininë është përparësi e Prezencës së OSBE-së, pasi çon në një shoqëri më gjithëpërfshirëse, më të drejtë, si edhe ka ndikim në qeverisjen e bashkive, duke filluar nga Elbasani. Po ashtu, diskutuam për rolin e grave. Mësova me kënaqësi që shkalla e punësimit të grave është shumë e lartë këtu në Elbasan. Fuqizimi i grave është përparësi e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri”, – theksoi Del Monaco.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.