TIRANË, 10 maj /ATSH/ Alexis Hupin, shefi i seksionit politik në Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë deklaroi sot se, “Reforma në Drejtësi në vetvete është një punë në progres, është një reformë e cila nuk mund të bëhet perfekte brenda natës apo brenda ditës”.
Duke folur në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës së Drejtësisë, Hupin tha se, “Reforma në Drejtësi është një reformë e cila do të kërkojë kohën e vet, ashtu siç ka kërkuar kohën e vet edhe gjithë sistemi ynë i drejtësisë për të arritur në pikën e konsolidimit që kemi aktualisht”.
“Mendoj që zhvillimi i praktikës gjyqësore, i jurisprudencës së BE-së dhe historikut tonë në aspektin e drejtësisë në përgjithësi na nxjerr një mësim, i cili është i aplikueshëm edhe në rastin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Është mësimi i përmirësimit të vazhdueshëm, i punës graduale që do të duhet të bëjmë çdo ditë e çdo javë, në mënyrë që të arrijmë një përmirësim të qëndrueshëm dhe në mënyrë që të sjellim ndryshim”, tha Hupin.
“E vërteta është që ne nuk e kemi përfunduar ende këtë proces dhe kemi ende shumë rrugë përpara për ta përfunduar atë. Procesi i Vetting-ut do të duhet të intensifikohet, dhe jo vetëm kaq, por edhe efikasiteti në gjykata dhe në zyrat e prokurorisë do të duhet të rritet gjithmonë e më tepër”, theksoi Hupin.
Nga ana tjetër, shtoi ai, “Shkolla e Magjistraturës ka nevojë për më shumë mbështetje dhe ka nevojë për reforma më të qenësishme. Procesi i Vetting-ut ka krijuar shumë vende bosh në sistemin e drejtësisë, për këtë arsye më shumë ndihmë do të duhet t’i jepet Shkollës së Magjistraturës, në mënyrë që këto vende bosh të mund të plotësohen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në mënyrë që Shkolla e Magjistraturës të ketë gjithë mbështetjen e nevojshme me profesionistë, me profesorë nga më të kualifikuarit në vend për t’i dhënë ndihmën e merituar sistemit të drejtësisë”.
“Në të gjithë këto përpjekje ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah jush. Jemi plotësisht të mobilizuar për t’iu ndihmuar. Do t’ju ndihmojmë politikisht dhe financiarisht, së bashku me shtetat anëtare të BE dhe me partnerin tonë kryesor me SHBA”, tha Hupin. /j.p/r.e/























