LONDËR, 10 maj /ATSH-DPA/ – Laburisti Sadiq Khan u rizgjodh kryetar i bashkisë së Londrës në një garë më të ngushtë për kryeqytetin sesa shumë kishin parashikuar.
Sondazhet e opinionit kishin sugjeruar që rivali i tij konservator Shaun Bailey do të ishte një konkurrent i fortë në garën për bashkinë e qytetit.
Khan mori 1 206 034 vota, krahasuar me Bailey me 977 601.
Rezultati do të jetë një dritë shprese për Partinë Laburiste pasi mori një humbje në zgjedhjet lokale në Angli, duke humbur kontrollin e një vargu këshillash dhe një humbje poshtëruese në zgjedhjet në Hartlepool.
“Faleminderit Londër. Është nderi absolut i jetës sime t’i shërbej qytetit që dua për tre vjet të tjera”, shkroi Khan në Twitter.
“Unë nuk do të lë asnjë gur pa lëvizur për ta ngritur qytetin tonë në këmbë. Një e ardhme më e mirë është e mundur dhe ne do ta sjellim atë së bashku”, shtoi ai. /os/




















