Brenda vitit gati Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme/ Përfitojnë 109 mijë pacientë në vit


TIRANË, 10 maj/ATSH/ Vijon pa u ndalur puna për ndërtimin e spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, investimi më i rëndësishëm për shërbimin e nivelit terciar në vend.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot se, “nga investimi për spitalin e ri prej 14.2 milionë euro, pjesë e projektit për modernizimin e QSUT-së përfitojnë 109 mijë pacientë në vit”.

Sipas Manastirliut, spitali i ri do të ketë 271 shtretër, ndërsa pjesë e investimit do të jetë edhe spitali ditor me 60 shtretër.

“Spitali do të pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë. Po ashtu në brendësi të tij do të jenë 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë“, tha Manastirliu.

Ministrja informoi se spitali i ri do të përfundojë brenda këtij viti.

Ky është një spital me sipërfaqe 26700 m2. Urgjenca aktuale do transferohet në këto mjedise. Ky spital do të përfshijë brenda repartet e hemodinamikës që sot janë në godina të ndryshme. Krijohen mjedise për triazhimin dhe shërbime të ndara. Spitali do ketë 317 shtretër dhe gjithashtu edhe një spital ditor me 60 shtretër.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.