Ballina Aktualitet

SPAK dërgon për gjykim gjyqtaren e Durrësit, Mimoza Margjeka

TIRANË, 7 Maj/ATSH/ Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dërguar për gjykim dosjen hetimore në ngarkim të gjyqtares Mimoza Margjeka, e cila që prej tetorit të vitit të shkuar është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet për disa vepra penale.

Gjyqtarja Margjeka u arrestua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK në shtatorin e shkuar. Gjatë operacionit për kapjen e gjyqtares së Durrësit, u vunë në pranga dhe tre avokatë të akuzuar për korrupsion.

Sipas hetimeve të SPAK, që çuan në urdhrin për arrestimin e ish-gjyqtares së Durrësit, Mimoza Margjeka, rezulton se bashkëshorti i saj ka marrë ryshfet një shumë prej 6 mijë euro për të ndryshuar një vendim. Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar për trafik klandestinësh.

Mimoza Margjeka dhe bashkëshorti i saj Arben Cara akuzohen për kryerjen e veprës penale “Korrupsion Pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim.

Të arrestuarit e tjerë, bashkë me gjyqtaren janë Nejton Bali, Klaudjo Zhilla, Skënder Demiraj të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, duke i dhënë gjyqtares Mimoza Margjeka, nëpërmjet bashkëshortit të saj, Arben Cara, një shumë prej 6.000 eurosh, si përfitim të paligjshëm. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNë prag të Ditës së Europës/ Kushi: Të gjithë bashkë të punojmë që Europa të jetë këtu
Artikulli tjetërLSI ankimon në KAS rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës