LSI ankimon në KAS rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Lëvizja Socialiste për Ndryshim (LSI) ankimon në Komisionin e Ankimimeve të Sanksioneve (KAS rezultatin e zgjedhjeve për qarkun e Gjirokastrës.
LSI në kërkesën e saj kërkon ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore të Qarkut të Gjirokastrës, për subjektet zgjedhore dhe për kandidatët për deputetë, në zgjedhjet e 25 prillit.

Po ashtu kërkohet shpallja e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në bashkinë e Dropullit të qarkut Gjirokastër dhe duke qenë se kjo pavlefshmëri ndikon në rezultatin e shpërndarjes së mandateve për qarkun Gjirokastër shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve për të gjithë Qarkun Gjirokastër.

Në ankimim, LSI shprehet se urdhëri për “vetëkarantinimin e detyrueshëm”, për një periudhë dyjavore për të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe nga Greqia ka ndikuar drejtpërdrejt në pjesëmarrjen dhe rezultatin e votimit në zonën zgjedhore qarku Gjirokastër. Me këtë urdhër, sipas LSI-së, është mohuar e drejta e qytetarëve që të zgjedhin lirisht për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë.

LSI rendit rezultatet e pjesëmarrjes në zgjedhje në 10 vitet e fundit, në raport me pjesëmarrjen në zgjedhjet e vitit 2021 dhe sipas LSI këto statistika “janë tregues mjaft i qartë se përse Urdhri i Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 219 datë 19.04.2021 ka patur qëllim të godasë politikisht drejtpërdrejtë subjektin zgjedhor LSI.

LSI thekson gjithashtu se rezultati zgjedhor në Bashkinë Dropull ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rezultatin e Përgjithshëm të qarkut të Gjirokastrës, pasi nëse nuk do të pengoheshin të votonin shtetasit shqiptarë që jetojnë në Greqi, shpërndarja e mandatave në këtë qark do të ishte sipas LSI: 2 mandate PS, 1 mandat LSI dhe 1 mandat PD.

Në ankimimin e LSI, theksohet se një anëtare e QV-je e PS-së dhe një numërues votash kanë ardhur nga Greqia në 19 prill. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.