Ndarja nga jeta e aktorit Guljelm Radoja/ Mesazhe ngushëllimi

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Autoritetet shtetërore dhe politike shprehën sot ngushëllimet për aktorin e njohur Guljelm Radoja, i cili ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare, pasi nuk e fitoi dot betejën me COVID-19.

Rama: Lamtumirë i dashur mik!

Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për aktorin e njohur Guljelm Radoja, i cili ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare, pasi nuk fitoi dot betejën COVID-19.

“Lamtumirë i dashur mik”, tha Rama.

Ruçi: Do ta kujtojmë gjithmonë për kontributin e tij të spikatur

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit Guljelm Radoja.

“Me trishtim mora lajmin mbi ndarjen nga jeta të artistit Guljelm Radoja. Aktori i mirënjohur dhe njeriu i mirë Radoja nuk e fitoi betejën me sëmundjen. Familja humbi njeriun e dashur dhe Shqipëria një artist të shquar. Por emri, vepra dhe rolet e tij nuk do të humbasin asnjëherë nga kujtesa e shqiptarëve. Do ta kujtojmë gjithmonë për kontributin e tij të spikatur si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të Fierit dhe si aktor në Teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, si edhe për mbi tridhjetë rolet në filmat shqiptarë nga më të dashurit për publikun”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Meta: Kinematografia shqiptare humbi sot “Petro Nini Luarasin” e saj

Edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të aktorit Guljelm Radoja.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin trishtues për ndarjen nga jeta të një prej ikonave të kinematografisë dhe skenës shqiptare, artistit të madh Guljelm Radoja, i cili me veprën e Tij la gjurmë të përhershme në trashëgiminë tonë artistike, kulturën kombëtare dhe kujtesën shpirtërore të shqiptarëve. Falë interpretimit virtuoz, talentit dhe mjeshtërisë së rrallë artistike, Guljelm Radoja u dha përjetësinë personazheve të tij, duke e lartësuar dhe e përfaqësuar denjësisht artin shqiptar, aq sa me të drejtë mund të thuhet se kinematografia shqiptare humbi sot “Petro Nini Luarasin” e saj, që aq mjeshtërisht ai e solli në filmin “Kush vdes në këmbë”. Ashtu sikundër do të jenë të paharruara për të gjithë ne edhe dhjetëra personazhet e interpretuara prej Tij për shumë dekada. Ngushëllimet më të ndjera për familjen Radoja dhe komunitetin e dashur të artistëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme. Lamtumirë miku ynë i dashur!”, u shpreh Meta.

Basha: Humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare

Gjithashtu dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha  ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të artistit të madh Guljelm Radoja.

“Me hidhërim të madh mora lajmin për ndarjen nga jeta të artistit të madh Guljelm Radoja. Largimi nga jeta i artistit të madh shqiptar është humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare”, tha Basha.

“Guljelm Radoja e humbi betejën e parë të jetës së tij por la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme njerëzore dhe artistike, ishte një frymëzim për qindra të rinj e qytetarë që donin dhe duan lirinë, të drejtën e dinjitetin. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen e tij, miqtë dhe të afërmit. Guljelm Radoja do të mbetet përjetë mes nesh. U prehtë në paqe!”, u shpreh Basha në mesazhin e tij.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Aktori Guljelm Radoja ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare, pasi prej javësh ishte prekur nga COVID-19.

/m.m/gj.mima//j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.