5 Maji në Durrës/ Sako homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Me rastin e 5 Majit, ditës së nderimit për të rënët e kombit shqiptar kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako zhvilloi sot homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës.

Në respekt të veprës heroike të këtyre dëshmorëve e heronjve kryebashkiakja Sako vendosi kurora me lule në vendin ku ndodhen pllakat përkujtimore të të rënëve për liri.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe prefekti Roland Nasto, kreu i qarkut Alfred Mullaraj, deputetë të Durrësit dhe përfaqësues të veteranëve të luftës.

Të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit.

Kryebashkiakja Sako u shpreh se të gjithë përkulen me nderim përpara aktit heroik të atyre njerëzve që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Fjalën e rastit e mbajti drejtori i Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve fetare në bashkinë e Durrësit Adrian Gurra, i cili tha se “kjo ditë e rëndësishme duhet të ketë vëmendjen dhe respektin tonë më të thellë. Nderimi dhe mirënjohja jonë në këtë 5 maj shkon për të gjithë ata që fatin e tyre vetjak nuk e ndanë nga fati i vendit të tyre; që luftuan dhe u vetë sakrifikuan në një prej sfidave më të egra të atij shekulli për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri europiane të rreshtuar me dinjitetin e fitimtarit në familjen e madhe qe ata ëndërruan”.

“Shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për ta dhe familjet e tyre, gjithashtu edhe për familjet e ushtarakëve dhe të policëve të rënë në krye të detyrës gjatë këtyre viteve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!” – tha Gurra.

Në këtë ceremoni u vlerësua respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.