Dita e Dëshmorëve/ Mesazhe

TIRANË, 5 maj /ATSH – I. Vata/ Autoritetet shtetërore dhe politike dhanë mesazhet e tyre me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve.

Ruçi: Respekti për të kaluarën është një investim për të ardhmen

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi përkujtoi dëshmorët e Atdheut në një mesazh me rastin e 5 Majit.

Në mesazhin e tij, Ruçi, shprehet se çdo 5 maj, Shqipëria, si të gjithë kombet e qytetëruar nderon dëshmorët e saj.

“Respekti dhe nderimi për dëshmorët është shenjë e pjekurisë dhe fuqisë së një kombi”, vijon mesazhi i Ruçit.

“Sot përulem me respekt para dëshmorëve që ranë për pavarësinë e Shqipërisë. Para patriotëve që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e integritetit territorial, trojeve, lirisë e pavarësisë së atdheut. Para 28 mijë dëshmorëve partizanë që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë. Sot kujtoj vizitën në familjen e pasardhësve të njerit prej tyre, i cili me kursimet e fituara nga jeta në mërgim bleu një maliher dhe doli malit partizan. Përulem para kujtimit të luftëtarëve partizanë të huaj që ranë për çlirimin e Shqipërisë. Para dëshmorëve të Shqipërisë që dhanë jetën duke luftuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Para oficerëve e policëve dëshmorë të rënë në krye të detyrës, të cilët i kujtojmë e nderojmë bashkë me fëmijët dhe familjet e tyre. Para vajzave e djemve të Shqipërisë që kanë dhënë jetën gjatë misioneve paqeruajtëse të NATO-s, në mbrojtje të lirisë së popujve të tjerë dhe të mbrojtjes së paqes e sigurisë nga terroristët. Para dëshmorëve të kohës sonë që kanë rënë në krye të detyrës për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga krimi dhe mbrojtjen e pronës publike nga fatkeqësitë natyrore. Çdo kohë ka dëshmorët e saj dhe ne i nderojmë ata duke punuar çdo ditë për idealet e tyre, për Shqipërinë”, shprehet Ruçi.

“Dëshmorët nuk janë më fizikisht. Por me ne janë idealet dhe vepra e tyre. Nuk janë më nënat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por janë mbesat, nipat e stërnipat e tyre. Janë fëmijët e oficerëve dhe policëve të rënë në krye të detyrës. Janë fëmijët, nënat, motrat e vëllezërit e vajzave e djemve të rënë për lirinë e kombeve të tjera, të rënë në luftën kundër terrorizmit e krimit, në luftën për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës publike”, u shpreh ai.

“Unë ndjehem krenar që kontribuova që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësojë ligjin “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, veprën, vlerat, familjet dhe pasardhësit e tyre”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Meta: Mirënjohje më e thellë Dëshmorëve të paharruar të Atdheut të çdo epoke

Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, Presidenti Ilir Meta, bëri sot homazhe te Monumenti “Nënë Shqipëri”, ku vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt përpara heroizmit dhe sakrificave sublime të të gjithë heronjve, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe sovranitetin e Shqipërisë.

Pas ceremonisë solemne të nderimit dhe përkujtimit, Presidenti u shpreh se “sot në këtë ditë kaq të rëndësishme në historinë tonë, në Ditën e Dëshmorëve dhe të Heronjve, në ditën kur udhëheqësi i rinisë antifashiste Qemal Stafa dha jetën për lirinë e Atdheut, kujtojmë jo vetëm Qemal Stafën, por edhe Margarita Tutulanin, Vojo Kushin, Perlat Rexhepin dhe gjithë ato bij dhe bija më të mirat e kësaj toke, që bënë sakrificat më sublime për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë”.

“Sot është jo vetëm dita t’i nderojmë këta heronj dhe heroina të popullit tonë, por njëkohësisht edhe të angazhohemi, që të bëjmë shumë më tepër në mënyrë, që qytetarët shqiptarë të gëzojnë të gjitha liritë, që u takojnë në Atdheun e tyre, në mënyrë, që Shqipëria, të ketë vendin që meriton sa më shpejt në Bashkimin Europian dhe sidomos që të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë të kenë një të ardhme europiane këtu, në vendin e tyre”, u shpreh ai.

Basha, kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nderoi Dëshmorët e Atdheut në ditën e veçantë të përkujtimit të tyre.

Basha vendosi kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, tek Varrezat e Dëshmorëve, si dhe u përkul me nderim përpara Heroit të Demokracisë Azem Hajdari.

Po ashtu, Basha vendosi lule edhe në nderim të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste pas bombës në ish ambasadën sovjetike, në simbol të nderimit të opozitarizmit dhe shprehjes së lirë.

Po sot kryetari i PD vendosi një kurorë me  lule në nderim të kapiten Feti Voglit, i cili ra në krye të detyrës në Afganistan, në një mision të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në NATO.

Gjithashtu, Basha bëri homazhe edhe para efektivëve të policisë të rënë në krye të detyrës në luftë kundër krimit, si dhe vendosi lule në varrin e Dëshmorit të Atdheut Skerdilajd Llagami, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës.

Xhaçka: Mirënjohje e respekt pa fund

Edhe ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka kreu sot homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve, tek memoriali “Nënë Shqipëri”.

“Mirënjohje e respekt pafund për të gjithë ata djem e vajza, burra e gra që me gjakun e jetën e tyre e vunë Shqipërinë në anën e duhur të historisë”, u shpreh Xhaçka.

“Nuk mjafton të përulemi përpara sakrificës së tyre. Ata dhanë jetën për këtë vend, për një Shqipëri më të mirë, dhe nuk ka mënyrë më të mirë të denjë për t’i respektuar dëshmorët në këtë ditë e çdo ditë, sesa duke punuar fort për ta bërë realitet Shqipërinë që ata ëndërruan”, tha ajo.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.