Ballina Ekonomi

BSH: Rritja ekonomike e Shqipërisë mbi nivelin 5 % në 2021

TIRANË, 5 maj/ATSH/ “Rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë mbi nivelin 5% për vitin 2021”.

Kështu deklaroi sot në konferencën për shtyp Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko ndërsa tha se “Banka e Shqipërisë, parashikon një vit më optimist seç kishte parashikuar në analizat e saj të mëparshme për vitin 2021”.

“Nga analiza e kaluar, ishte parashikuar një rritje në nivelin 4,9 %, sot jemi në një parashikim të ri, se këtë vit rritja ekonomike do të jetë mbi 5 %”, tha Sejko

Sipas tij, një sezon turistik i mirë, rritja e investimeve, eksporteve, rritja e konsumit, por edhe niveli në rritje i financimit të kreditimit nga sektori bankar, i cili ka treguar një qëndrueshmëri mjaft të mirë në raport me goditjet e krizës, janë faktorët që mbështesin rritjen e ekonomisë.

Pritshmëritë tona, theksoi Guvernatori Sejko, bazohen në faktin që niveli i përhapjes së epidemisë Covid po vjen në rënie.

Ai tha se, shifrat dhe treguesit tregojnë për një rritje të mirë ekonomike në 2021 dhe në vazhdim në 2022 e më tej.

“Informacioni i ri i analizuar tregon se ritmi i rimëkëmbjes së aktivitetit ekonomik u përshpejtua dhe perspektiva e zhvillimit ka ardhur drejt përmirësimit gjatë dy tremujorëve të fundit. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kjo ecuri pasqyron: fleksibilitetin e ekonomisë shqiptare dhe qëndrueshmërinë e sistemit të saj financiar; mbështetjen e siguruar nga stimuli monetar, financiar dhe fiskal; si dhe, së fundmi, reduktimin e kufizimeve dhe rritjen e besimit në përgjigje të procesit të vaksinimit”, deklaroi Sejko.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak537 mijë vaksinime antikovid/ Prej fillimit të fushatës kanë mbërritur më shumë se 748 400 doza
Artikulli tjetër“Benedetta” në Festivalin e Kanës