537 mijë vaksinime antikovid/ Prej fillimit të fushatës kanë mbërritur më shumë se 748 400 doza

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksoi sot se “që prej fillimit të fushatës së vaksinimit masiv kanë mbërritur në vend më shumë se 748,400 doza vaksine”.

Në konferencën për shtyp të Komitetit Teknik të Ekspertëve ministrja Manastirliu tha se, “aktualisht jemi në shifrat e 537 mijë vaksinimeve, ku rreth 100 mijë qytetarë kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinave”.

“Shqipëria ndodhet në një situatë të qëndrueshme dhe të kontrolluar të pandemisë COVID-19. kemi një rënie të ndjeshme të shifrave të infektimeve dhe fataliteteve si dhe një numër të ulët të shtruarish në spitalet COVID dhe ato rajonale. Vijojmë të kemi një incidencë të ulët gjatë javës së 17 në nivel vendi, me 26.6 raste për 100 mijë banorë. Vijojmë të kemi një incidencë dy javore të kontrolluar, të ulët në nivel 52,4 raste për 100 mijë banorë, kemi rënie të pozitivitetit total me 3.8 %, numri i pacientëve të shtruarve është ulur në 116 të shtruar krahasuar me javën e mëparshme”, – nënvizoi Manastirliu.

Sipas saj, indikatorë si këta na sjellin në vëmendje situatën e një viti më parë ku në sajë të një reagimi të menjëhershëm me masa të forta dhe izolimi tërësor patëm situatë të kontrolluar të epidemiologjisë.

“Këtë vit ia kemi dalë falë strategjisë sonë përmes masave të targetuara, të cilat sipas asaj që thonë ekspertët tanë të Komitetit Teknik kanë patur ndikim të padiskutueshëm për gjendjen që ndodhemi sot. E kemi arritur këtë pa shkaktuar ndërprerje me pasoja të rënda për jetën ekonomike dhe sociale të vendit. E kemi bërë këtë edhe falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të qytetarëve”, – tha Manastirliu.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.