LISBONË, 28 prill /ATSH-AFP/ – Gjendja e jashtëzakonshme për frenimin e pandemisë COVID-19, në fuqi në Portugali që nga nëntori, do të përfundojë të premten, falë një përmirësimi të situatës shëndetësore, njoftoi kreu i shtetit, Marcelo Rebelo de Sousa.
“Unë kam vendosur të mos e rinovoj gjendjen e jashtëzakonshme”, deklaroi presidenti i Republikës portugeze në një fjalim televiziv.
“Stabilizimi dhe rënia e numrit të vdekjeve dhe personave të shtruar në spital (…) peshuan në vendimin tim”, shtoi ai, ndërsa bëri thirrje për kujdes.
Pas një kulmi prej gati 13 000 rastesh të reja COVID-19 të zbuluara në fund të janarit, numri i infeksioneve ditore është stabilizuar nën 500 në ditët e fundit.
Pas këshillimit me ekspertët, në lidhje me situatën shëndetësore në Portugali, qeveria duhet të vendosë këtë javë nëse do të vazhdojë me planin e saj gradual të heqjes së kufizimeve./ /ervo/













