SHKUP, 27 prill /ATSH-AA/ – Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka pranuar rekomandimet e Komisionit për Sëmundjet Ngjitëse dhe ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e masave për mbrojtje dhe parandalim të përhapjes së COVID-19.
“Me këto ndryshime dhe plotësime, duke filluar nga nesër, më 28 prill, kufizimi i lëvizjes për popullatën dhe për automjetet e transportit publik në mbarë territorin e shtetit, do të fillojë nga ora 21:00 deri në ora 05:00”, shkruhet në njoftimin me shkrim të kabinetit të qeverisë.
Sipas dekretit të ri të qeverisë, ambientet e hapura të objekteve të hotelierisë do të punojnë deri në ora 20:30.
Përjashtim nga ndalesa dhe regjimi i posaçëm i lëvizjes janë orët e mbrëmjes mes 1 dhe 2 majit, gjatë Pashkës Ortodokse, si edhe në mbrëmjen mes 13 dhe 14 majit, gjatë festës fetare të Bajramit.
Masat e reja vlejnë deri më 15 maj./ /ervo/











