“Institucionin” e blerjes së votës e ka krijuar Ilir Meta

TIRANË, 20 prill/ATSH-Maela Marini/ “Nëse ka një shqiptar që nuk duhet të flasë për blerje votash është Ilir Meta sepse ‘institucionin’ e blerjes së votës e ka krijuar, e ka stimuluar dhe e ka bërë atraktiv Ilir Meta”.

Kështu u shpreh sot në një studio televizive, Kryeministri Edi Rama tha se “mekanizimi i blerjes së votës është krijuar dhe çuar deri në art nga LSI”.

“Këto për Ilir Metën, ndërsa për Presidentin është e turpshme për të gjithë Republikën dhe e neveritshme për të gjithë ata që na shohin ne, të flasë Presidenti në atë gjuhë. Presidenti është i fundit që duhet të flasë. Ai duhet të dëgjojë institucionet, të bëjë thirrje për harmoni, për dialog. Në këtë vend shembëlltyra e anormalitetit është Ilir Meta”, tha Rama.

Rama tha se ftesa për bashkëpunim nuk mund të jetë për Ilir Metën, sepse “Ilir Meta duhet të largohet, duhet të dëgjojë të bijën që i thotë: babi mos pi, kthehu në shtëpi”.

“Në nivelin personal nuk kam asnjë problem me Ilir Metën. Personalisht mendoj se e ndihmon gjithkush që ka një arsye të mos ketë asnjë gjë personale me Ilir Metën, por përkundrazi ka dhe ndonjë borxh shoqëror me Ilir Metën për kohën e jetuar, duhet ta ndihmojë duke mos e votuar që të shkojë në shtëpi”, tha Rama.

Ai theksoi se Reforma në Drejtësi e çoi në këtë pikë marrëdhënien e tij me Ilir Metën.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.