Basha: Pas 8 vitesh, në vend të 300 mijë vendeve pune, kemi 500 mijë emigrantë

TIRANË, 20 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha sot se, Edi Rama 8 vite ka premtuar për të marrë vota në dijeninë e plotë që premtimet nuk do t’i mbajë.

I ftuar në një emision televiziv, ai tha se prandaj pas 8 vitesh, në vend të 300 mijë vendeve pune, kemi 500 mijë emigrantë.

Basha shtoi se “pёr 8 vite këtu ёshtё shkatërruar çdo kontroll dhe balancë. Sfida e parё dhe kryesore qё ne do tё tejkalojmë, qё unё do ta bёj realitet, pa tё cilën nuk mund tё shkojmë drejt Europës, pa tё cilën nuk mund tё garantojmë ato qё na sjell Europa, subvencione, ndihmë pёr studentët, investime tё huaja, qё hapin vende pune, qё rrisin pagat, ёshtё rikthimi tek institucionalizimi i Republikës. Unë jam për një politikë me fytyrë njerëzore. Unë besoj tek normaliteti, unë besoj se dhurata më e mirë që një njeri të cilit i besohet pushteti, se në demokraci pushtetin ta japin njerëzit me votë duhet të mos harrojë që është njëri prej tyre, që është njeri normal, por që ka përgjegjësi jashtë normales”, tha ai.

“Ne do t’i krijojmë opozitës së ardhshme, Partisë Socialiste në opozitë, të gjitha instrumentet e kontrollit ndaj qeverisë, sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe kjo do të jetë një garanci shtesë për shqiptarët. S’ka të bëjë kjo me mua apo me drejtuesin e ardhshëm të opozitës, nuk ka të bëjë me PD apo me PS, ka të bëjë me konceptet. Do të ishte mendjemadhësi të thoja “e mia”, se në fakt janë konceptet e Europës, janë konceptet e Amerikës, po me ato, për fat, jam rritur, jam formuar dhe unë që në rini, prandaj po them, janë konceptet e mia, që në fakt janë parimet me të cilat është ndërtuar demokracia europiane, demokracia amerikane, demokracia më e vjetër në botë, demokracia britanike”, theksoi Basha.

Basha tha se, “nuk mund të ketë një njeri të gjitha pushtetet dhe të jetë përtej ligjit. Pra, kjo është garancia që gjërat do fillojnë të funksionojnë ndryshe dhe në fakt, ne e kërkuam këtë duke qenë në opozitë, kërkuam vetting-un politik, po le të flasim për ato që do bëjmë pas 25 prillit. E para dhe garancia e parë është që kjo shtyllë e rëndësishme që garanton demokracinë, që garanton që të mos çmendet kryeministri nga pushteti e t’i duket vetja Zot mbi zotër, e të fillojë të luajë me pronat e shqiptarëve e t’u thotë “Thuaju atyre t’jua legalizojë sepse sapo t’jua marr votën, do t’jua prish, madje do t’u fus edhe gaz lotsjellës e nuk do t’u jap asnjë lek”, janë njerëz, qindra, mijëra familje, është puna e jetës së tyre, është djersa e jetës së tyre. I trajton sikur të jenë insekte”.

“Pra, kontrolli mbi pushtetin, Monteskje, që është e para pra, drejtësia do të funksionojë, nuk do të jetë në presion politik, përkundrazi. Politika që është faktori kryesor, jo i vetëm por kryesor i korruptimit të drejtësisë, do të zhvishet nga çdo lloj imuniteti dhe pushteti për të influencuar drejtësinë. E dyta, brenda pyetjes së parë dhe pastaj mund të vazhdoni, është fuqizimi i rolit të opozitës së ardhshme, meqë ma bëre si pyetje. Si institucion, opozita e ardhshme do të ketë të drejta të garantuara me ligj, pra ne do të krijojmë institucion, unë jam i vendosur, madje këtë angazhim e kam jo vetëm në programin tonë politik por e kam nënvizuar edhe në librin tim, që u botua para disa javësh. Do të krijojmë institucionin e kryetarit të opozitës”, u shpreh Basha.

Në lidhje me qëndrimin e PD-së me Kosovën, Basha tha se qëndrimi në raport me Kosovën është i qartë dhe ne do ta mbështesim Kosovën dhe institucionet e saj në të gjitha sfidat.

“Shqiptarët e dinë që unë kam shërbyer si Ministër i Jashtëm, pra në çështjet e politikës së jashtme në një kohë shumë të rëndësishme dhe të ngjeshur me ngjarje për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Qëndrimi në raport me Kosovën është i qartë dhe ne do ta mbështesim Kosovën dhe institucionet e saj në të gjitha sfidat. Së pari, në njohjen ndërkombëtare nga vendet që nuk e kanë njohur akoma, në anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare në të cilat meriton të ketë vendin e saj dhe në koordinimin e fuqishëm të të gjitha vendimmarrjeve sa i përket politikës së jashtme të Shqipërisë në funksion dhe në mbështetje të Republikës së Kosovës, institucioneve dhe qytetarëve të saj. Prioriteti numër një në bashkëpunimin dypalësh Shqipëri-Kosovë është që ne të njëjtësojmë ekonomitë e vendeve tona, të njëjtësojmë arsimin dhe të gjitha aspektet sociale dhe kulturore duke bërë kështu edhe provën e parë gjenerale të aftësisë tona si dy shtete për të qenë së shpejti së bashku anëtare të Bashkimit Europian”, tha Basha.

Duke folur për zgjedhjet e 25 prillit Basha tha se fitorja jonë do të jetë e thellë dhe kur them e jona nuk e kam parasysh vetëm për Partinë Demokratike. Socialistë, hierarkë socialistë që i kam pritur në zyrën time, socialistë të thjeshtë që i takoj me kartat e Partisë Socialiste.

“Fitorja jonë do të jetë e thellë dhe kur them e jona nuk e kam parash vetëm për Partinë Demokratike, koalicionin tonë, aleancën tonë, kam parasysh një bashkim që dukshëm dhe publikisht, jo fshehtazi, i ka kaluar kufijtë tanë. Socialistë, hierarkë socialistë që i kam pritur në zyrën time, socialistë të thjeshtë që i takoj me kartat e Partisë Socialiste. Ndërkohë që PS-ja i ka të gjitha pushtetet, ndërkohë që Edi Rama ka ndërtuar shtetin më brutal dhe arrogant, dalin haptazi, haptazi dhe thonë që mezi po presin 25 prillin. Shqiptarët e dinë që unë kam shërbyer si Ministër i Jashtëm, pra në çështjet e politikës së jashtme në një kohë shumë të rëndësishme dhe të ngjeshur me ngjarje për Shqipërinë dhe kombin shqiptar”, u shpreh ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.