Basha në Krujë: Rama është problemi kryesor i Shqipërisë

TIRANË, 17 prill /ATSH – I. Vata/ Destinacioni i radhës në rrugëtimin jug-veri të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte qyteti i Krujës.

Në fjalën e tij para qytetarëve, Basha u bëri thirrje krutanëve që të votojnë masivisht për numrin 9 për të sjell ndryshimin dhe për të larguar një herë e përgjithmonë politikën e premtimeve të pambajtura dhe projekteve në 3D.

“Për 8 vjet me radhë rrugën e të rinjve krutanë, rruga e të rinjve shqiptarë është bllokuar nga një njeriu dhe shpura e tij, 8 vjet dështime, 8 vjet laku në fyt për shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe pasuri marramendëse për një grusht njerëzish që kanë marrë peng Krujën, kanë marrë peng Shqipërinë dhe rrugën tonë drejt Europës. Por sot nga kryeqendra arbërore  e Gjergj Kastriot Skënderbeut buçon thirrja për ta çliruar Krujën, për ta çliruar Shqipërinë nga 8 vjet dështime”, tha ai.

Basha tha se,”me 25 prill për ndryshimin, votoni numrin 9. Për rininë tonë të mrekullueshme që t’i japim mundësinë të rritet dhe të arsimohet e të punësohet në vendin tonë të mrekullueshëm. Këtu, në Krujën e zejtarisë, të turizmit, të historisë, për këta që të gëzojnë këtë vend njësoj si të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e Europës, votoni numrin 9″.

“Ai e di se shqiptarët e kanë ndarë mendjen, se pa e larguar atë, nuk hapen dyert e Europës, nuk hapen dyert e mirëqenies, nuk ka ndryshim pa e larguar Edi Ramën! Shqipëria ka nevojë për ndryshim! Mos ja hapni derën dështimit për herë të tretë, për hir të familjeve tuaja, për hir të fëmijëve tuaj, nënave shqiptare, pavarësisht prej bindjeve politike,-  përfundoi Basha. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.