Vaksina Pfizer parandalon ndjeshëm COVID-19

OVIEDO, 14 prill /ATSH-AA/ – Vaksina Pfizer është shumë efikase në parandalimin e infeksioneve COVID-19, vdekjeve dhe shtrimeve në spital, sipas një studimi të ri në Spanjë, i publikuar si një botim paraprak në revistën mjekësore “Lancet”.

Studimi ndoqi më shumë se 116 000 banorë të shtëpive të të moshuarve, personel dhe punonjës të kujdesit shëndetësor, të cilët u vaksinuan në Katalonja duke filluar nga dhjetori i kaluar.

Jo vetëm që studimi konfirmoi rezultatet e provës klinike të Pfizer për sa i përket aftësisë së vaksinës për të parandaluar rastet e rënda COVID-19 dhe vdekjet, por gjithashtu zbuloi se vaksina ishte “shumë e efektshme” në mbrojtjen nga infeksionet.

Studiuesit zbuluan se pas dy dozave, infeksionet totale të COVID-19, simptomatik dhe asimptomatik, ranë me 88% në rradhët e banorëve të shtëpive të pleqve, 92% te personeli dhe 95% te punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Pas dozës së parë, infektimet ranë në mënyrë me modeste, 35%-42% në të gjitha grupet.

Nën dritën e provave, studimi rekomandon që njerëzit duhet ta mbrojnë veten nga virusi midis dozave të vaksinës, veçanërisht në dy javët e para pas dozës fillestare.

Pas dy dozave, studimi gjeti gjithashtu një ulje “të habitshme” me 97% dhe 98% të shtrimeve dhe vdekjeve nga COVID-19.

Studiuesit gjithashtu pranuan se rreth 15% deri në 20% e rënies së infeksioneve mund t’u atribuohet faktorëve të tjerë, të tilla si nivelet e infektimit të komunitetit ose masat shtesë mbrojtëse./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.