Dibra do jetë jastëku i gjelbër i metropolit të Shqipërisë/ Rruga e Arbrit do të sjellë mijëra turistë në këtë parajsë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Dibra do jetë jastëku i gjelbër i metropolit të Shqipërisë dhe Rruga e Arbrit zbulon një copë të parajsës shqiptare, që do shijohet nga miliona turistë pasi të dalim nga tuneli i pandemisë.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Dibrës, ka nënvizuar se “ky nuk është më një vizion që thuhet nga një dëshirë e madhe, por ky është një vizion që po jetësohet dhe për këtë arsye duhet të jemi të gjithë bashkë”.

“Sot pata mundësinë ta shoh gjatë gjithë gjatësisë Rrugën e Arbrit që është drejt përfundimit, por tanimë është një aks i lidhur dhe u gjenda shumë shpejt, si asnjëherë më parë në Mat dhe në Burrel dhe pastaj, përpara sesa të vija këtu, pata një kënaqësi të jashtëzakosnhme në vizitën që bëra në një bujtinë, në atë të jufkave, ku takova një grua që më ka lënë mbresa të forta, qysh kur e takova herën e parë dhe me një grup grash dibrane, nëna punëtore të jashtëzakonshme, shumë të vendosura, që në atë takim, më kërkuan ndihmë për të çuar më tej ëndrrrën e tyre për transforimin e atyre punishteve të vogla në një sipërmarrje që mund të zhvillohet, mund të krijojë punë, jo vetëm për familjet e tyre por edhe për të tjerë”, – shtoi Rama.

“Dhe falë kurajos, falë vendosmërisë, punës së jashtëzakonshme të asaj gruaje dhe familjes së saj si dhe falë mbështetjes që ne i dhamë asaj dhe jo vetëm asaj, por dhe disa grave të tjera në Dibër, sot, mund të shikohet konkretisht se çfarë do të jetë Dibra nesër”, – tha Rama.

“Çfarë do të jetë për Tiranën Dibra dhe çfarë do të jetë Tirana për Dibrën. Jo më 2 qytete të largëta, por dy zona që i përkasin njëra-tjetrës. Jo më një Tiranë kryeqytet dhe një Dibër e izoluar, por një Tiranë që është graviteti i jetës ekonomike, i jetës sociale, graviteti i gjithë qarkullimit dhe një Dibër që do jetë jastëku i gjelbër i metropolit të Shqipërisë”, – tha Rama.

“Dhe kështu si unë sot, nesër dhe jo nesër pas 10-ra vitesh, por nesër pas pak vitesh, dhe vit pas viti, ne do të shohim se si mijëra e mijëra njerëz do të nisen përditë nga Tirana për drejt Dibrës, duke hyrë përmes atij aksi të mrekullueshëm, që zbulon një copë Shqipërie të panjohur për shqiptarët. Një copë të parajsës së natyrës sonë për të ardhur drejt Dibrës dhe për të shijuar natyrën, për të shijuar mikpritjen, për të qëndruar këtu në fundjava. Po kështu, Dibra do jetë një destinacion turistik për mijëra e dhjetëra e mijëra turistë, e qindra-mijëra e miliona turistë që do të vijnë në Shqipëri, duke filluar menjëherë pas daljes nga tuneli i pandemisë, e duke u rritur vit pas viti”, – tha Rama.

“Ky nuk është më një vizion që thuhet nga një dëshirë e madhe, por ky është një vizion që po jetësohet dhe për këtë arsye, për këtë vizion, për ta çuar deri në fund jetësimin e këtij vizioni ne duhet të vazhdojmë së bashku. Duhet të vazhdojmë së bashku me punë, durim, këmbëngulje dhe besimin e palëkundur se Shqipëria, e ardhmja jonë nuk është një slogan. Shqipëria e ardhmja jonë është ambicia dhe dëshira më e madhe e çdo prindi, e çdo nëne, që fëmijët e vet, kur të rriten, të jenë krenarë jo thjesht për Shqipërinë, për historinë e saj, për natyrën e saj, për mikpritjen, për rrënjët e tyre familjare, por të jenë krenare për këtë shtëpinë e përbashkët që garanton të gjitha kushtet që ata të ndjehen guri i rëndë në vendin e vet”, – tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.