Ballina Flash

India miraton vaksinën ruse Sputnik V

MOSKË, 13 prill /ATSH-DPA/ – Rregullatori indian konfirmoi miratimin e një vaksine të tretë mbi koronavirusin, Sputnik V, ndërsa vendi po lufton me një valë vdekjeprurëse të pandemisë, ndërkohë që dje pati më shumë se 161 000 infeksione të reja.

Fondi sovran rus për Investimet Direkte, RDIF tha se kontrollori i përgjithshëm i ilaçeve në Indi kishte miratuar përdorimin e Sputnik V.

”India është vendi më i populluar në botë që ka regjistruar vaksinën ruse. Popullsia totale e 60 vendeve ku aprovohet përdorimi i Sputnik V është 3 miliardë njerëz ose rreth 40% e popullsisë botërore”, thotë një deklaratë nga RDIF.

Burimet theksuan se një grup ekspertësh i ngritur nga rregullatori i ilaçeve kishte rekomanduar dhënien e miratimit të përdorimit emergjent Sputnik V, të zhvilluar nga instituti ”Gamaleya” i Moskës.

”Sputnik V do të prodhohet nga pesë kompani farmaceutike në vend dhe 850 milionë doza do të prodhohen çdo vit”, tha RDIF.

India përdor edhe dy vaksina të tjera, njëra e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit, AstraZeneca, dhe tjetra nga kompania kombëtare ”Bharat Biotech”, për programin e saj të imunizimit në masë.

India ka administruar mbi 108 milion doza për popullsinë e saj prej 1,3 miliardë banorë.

Sputnik V ka efikasitetin më të lartë, me 91.6%, mes vaksinave të autorizuara në Indi. /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjiknuri: Zhvillimi i Vlorës i garantuar me votën për Partinë Socialiste
Artikulli tjetërGjiknuri me sportistë e trajnerë të klubit “Flamurtari”: Mandatin e tretë vëmendje e shtuar për sportin në Vlorë