Gjiknuri me sportistë e trajnerë të klubit “Flamurtari”: Mandatin e tretë vëmendje e shtuar për sportin në Vlorë

TIRANË, 13 prill/ATSH/ Trajnerë, sportistë dhe të rinj të talentuar në fushën e sportit u bënë bashkë në një bashkëbisedim me drejtuesin politik të Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri.

Të pranishëm ishin edhe kandidatët për deputetë Anduel Tahiraj, Laura Ferati dhe nënkryetari i bashkisë së Vlorës, Afrim Qendro.

Duke kujtuar me nostalgji emrat më në zë të sportit vlonjat, të atyre që emrit të Flamurtarit i dhanë lavdi duke bërë historinë e një skuadre me të cilën edhe sot krenohet çdo vlonjat, Gjiknuri theksoi se ndryshimet trasformuese që ka njohur Vlora do të shoqërohen me vëmendjen e veçantë që do t’i kushtohet zhvillimit të sportit.

Duke pranuar se mund dhe duhet të ishte bërë edhe më shumë për sportin në Vlorë, Gjiknuri premtoi se gjatë mandatit të tretë qeverisës kjo panoramë do të ndryshojë plotësisht.

“Një projekt që mendoj se duhet ta shikojmë të gjithë së bashku, e për të cilin unë do të marr rolin e liderit për të lobuar, është restaurimi i Pallatit të Sportit. Ka ardhur momenti që Pallati i Sportit kërkon një restaurim. Kryeministri Rama si një njeri që e di mirë atë që thashë, ekuilibrin mes të bukurës dhe sportit, jam i bindur se do ta kemi në krah për të na mbështetur në këtë drejtim. Vlora e meriton dhe Vlora ka mundësi të jashtëzakonshme. Si e mendojmë ne? Vlora po ndryshon e po bëhet qytet i bukur. Vlorës po i vijnë disa asete që as nuk i ka menduar kush. Është një vend që ka edhe detin edhe malin shumë afër. Kjo mund të japë mundësi për shumë sporte që mund të kenë edhe natyrë turistike por në fund të fundit janë aktivitete që ndihmojnë edhe qytetin, edhe rininë e këtij vendi”, u shpreh Gjiknuri.

Prandaj, vijoi ai, për herë të parë duhet votuar për Vlorën. “Mos voto për parti por voto për një gjë të nisur që nuk duhet lënë në mes. Politikanët vijnë dhe ikin, ajo që mbetet është Vlora. Mundësitë për të transformuar Vlorën janë tani. Ato punë që kanë filluar ne nuk mund ti lëmë në mes. Jam i bindur se tek ky zhvillim i Vlorës do ta gjejë veten edhe sporti. Tek ajo pishina që po bëhet jam i bindur se Vlora mund të tërheqë edhe një kampionat noti. Do ketë 22 kilometra shëtitore nga Vlora në Orikum, një vend i mrekullueshëm qoftë për biçikletë qoftë për vrap. Jam i bindur se me këtë zhvillim dhe transformim të Vlorës dhe me këtë qasje që kemi nisur, me bashkëpunimin tuaj dhe me gjithë këto talentet që ka Vlora ne na takon që të krijojmë më shumë mundësi”, nënvizoi Gjiknuri.

Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste Laura Ferati pohoi se, “në sport ne kemi figura që na bëjnë të ndihemi krenarë falë talentit të tyre, duke e lartësuar në botë emrin e Shqipërisë dhe flamurit kombëtar. Në drejtim të qeverisjes ne kemi dy kryeministra, Kryeministri i Parë që na bën krenarë ka qenë Ismail Qemali, që me shpalljen e Pavarësisë na dha një komb e një flamur. Kryeministri i dytë që i ktheu Vlorës identitetin është Edi Rama. Në 25 Prill ne kemi vetëm një ideal, Partinë Socialiste, si shenjë mirënjohje ndaj Kryeministrit Rama, për vëmendjen që i kushtoi dhe po i kushton Vlorës”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.