EBA emëron të parën astronaute arabe

DUBAI, 10 prill /ATSH-DPA/ – Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan sot se dy astronautë të rinj do t’i bashkoheshin një programi ambicioz hapësinor, përfshirë atë që vendi e përshkroi si astronauten e parë të botës arabe.

Zëvendëspresidenti i EBA-s dhe sundimtari i Dubait, Mohammed bin Rashid e identifikoi atë si Noura al-Matrooshi, e diplomuar në inxhinieri mekanike.

“Ne shpallim praninë e astronautes së parë arabe midis dy astronautëve të rinj, të zgjedhur nga mbi 4 000 kandidatë për t’u trajnuar me NASA, për misionet e ardhshme të hulumtimit të hapësirës”, shkroi Mohammed në Tëitter.

Dy astronautët do t’i nënshtrohen trajnimit në Johnson Space Center të NASA-s në Hjuston, SHBA.

Në 2019, Hazzaa al-Mansoori u bë astronaut i parë i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ai kaloi një javë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.

EBA tashmë ka zbuluar një program ambicioz hapësinor, që përfshin ndërtimin e një vendbanimi njerëzor në Planetin e Kuq deri në vitin 2117.

Në shkurt, sonda hapësinore “Hope” e EBA-s hyri në orbitën e Marsit, duke e bërë vendin e Gjirit shtetin e parë arab që nis një mision të suksesshëm ndërplanetar./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.