Rruga Peshkëpi-Selenicë, pjesë integrale e korridorit të ri të Lumit të Vlorës/ Kandidati i ri Ilir Meta e bllokoi për muaj të tërë

TIRANË, 10 prill/ATSH/  Rruga Peshkëpi-Selenicë është investimi më i fundit që bëhet pjesë integrale e korridorit të ri të Lumit të Vlorës.

Me një gjatësi 14,6 km dhe e zgjeruar e rikualifikuar cilësisht, kjo rrugë do të lidhë banorët e zonës me të gjithë rrjetin rrugor që lidh bregun e detit, qytetin e Vlorës dhe zonën e Kurveleshit, deri në Tepelenë e Gjirokastër.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga deputeti Damian Gjiknuri inspektoi sot punimet që po kryhen në këtë rrugë.

Inxhinieri që ndjek punimet tha se kjo rrugë do të rikonstruktohet komplet duke përmirësuar parametrat e saj. “Punimet sapo kanë filluar me një ritëm të mirë dhe shpresojmë që në harkun e 7 muajve besoj se do të jetë gati për banorët e zonës”, u shpreh ai.

Deputeti i PS-së Gjiknuri sqaroi arsyet se përse kjo rrugë filloi tani dhe jo më parë.

“Arsyeja është shumë e thjeshtë sepse ai kandidati i ri për deputet në Vlorë, e bllokoi për muaj të tërë. Madje shkoi deri aty sa donte të fuste në përçarje mes krahinave, duke thënë se i morën paratë nga Selenica i çuan në Radhimë. Ne në fakt i kemi çuar ftesë e i themi hajde tani këtu se po bëhet rruga. E mira ishte të ishte këtu me ne por praktikisht ai ka hall tjetër, rri në Vlorë nuk shkel më në këtë zonë sepse e vërteta doli në pah. Rruga filloi e kjo rrugë s’do ndalojë dhe kompletojmë të gjithë infrastrukturën e kësaj zone”, tha Gjiknuri.

Kryeministri Edi Rama tha se “për të gjithë ata që nuk e dinë historinë e kësaj vepre kandidati në fjalë është Ilir Meta, i sapozyrtarizuar i LSI  në qarkun e Vorës”.

“Damiani e ka ftuar të vijë meqë erdhëm edhe ne për të inspektuar punimet, por ai nuk nuk del ditën, ai shfrytëzon muzgun dhe periudhën e natës sepse subjektet më të cilat ai komunikon janë subjekte që ditën e kanë pak të vështirë edhe ai ditën kur bënë shpërndarjen e atyre teneqeve duke shpërdoruar  deri në fund atë institucion që Shqipëria e ka humbur, në atë periudhë nuk mund t’i mbajë pranë. Janë gjykatës e prokurorë që janë pastruar nga Vetingu dhe që janë bashkuar me të për revanshin e madh referendar të 25 prillit ku ëndërrojnë të marrin në dorë drejtësinë, janë subjekte të OFL. Pastaj është edhe koha e zijafeteve me Leskon që ka nevojë për t’u ushtruar e për t’u dehur nëpër tavolina me kecat e shkretë të zonës, që përfundojnë në dhëmbët bluajtës të Leskos së Vlorës”, u shpreh Rama.

“Historia është që kjo vepër u bllokua pasi financohet përmes një kredie të bute që ne kemi siguruar nga Mbretëria  e Arabisë Saudite dhe duhej një aprovim formal nga zyra e Presidentit, që ndërkohë spostimin e financimit që u bë për t’u çuar në zonën poshtë në bregdet për veprën e  re që do të bëhet deri në Radhimë nga tuneli, e shfrytëzoi si një moment duke menduar se do përçante zonën duke i thënë Selenicës që ua mori rrugën Edi Rama, po e çon atje”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ne u detyruam të ndryshojmë taktikë e kaluam topin në fushën e qeverisë ia hoqëm atë të drejtën e të ashtuquajturës plotfuqishmëri që ai e shfrytëzon kundër interesave të publikut dhe hesapeve elektorale të Monikës”.

“Kjo rrugë financohet nga FSHZH dhe do bëhet ashtu si kemi premtuar banorëve të zonës, pjesë e integrale e aksit tashmë komplet të hapur dhe drejt përfundimit të Lumit të Vlorës në mënyrë që edhe Selenica të hyjë e të integrohet jo thjesht në rrugën e lëvizjes, por në rrugën e  zhvillimit të ri që do të marrë kjo zonë të heqjes së bllokimit të dhjetëra e dhjetëra vjeçarëve për shkak të mungesës së aksesit në rrugë”, – tha Rama.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.