Nga qendra historike e Vlorës, dikur lagje e degraduar/ Vota për PD për të risjellë ata që bënë çorap pronën në gjithë bregdetin

TIRANË, 10 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “vota për PD-në në Vlorë nuk është për interesin e qytetarëve, por është votë për të risjellë ata që e bën çorap pronën në gjithë bregdetin”.

Në një takim elektoral nga Vlora, Rama tha se në Vlorë pse-ja e mandatit të tretë është e ilustruar në të katër anët.

“Ishim më parë në një tryezë me rreth 10 operatorë turistikë, gjysma prej tyre të majtë dhe gjysma të djathtë, madje dhe themelues dhe protagonistë në jetën politike të Vlorës, si mbështetës të djathtës për vite të tëra. Ne diskutuam për Vlorën, turizmin, perspektivën e  zhvillimit të turizmit dhe të gjithë ishin shumë të qartë dhe e thanë shumë troç: ne do të votojmë për ty dhe PS, sepse ky është interesi ynë, ky është interesi i Vlorës, interesi i punonjësve tanë, i të gjtihë familjeve që ushqehen me punën tonë. Pasi jo vetëm që askush nuk ka bërë për Vlorën kaq sa është bërë në këto vite dhe askush se ka imagjinuar se do të ndodhte një përmbysje e kësaj natyre, por ne e dimë shumë mirë se nëse kjo ndryshon Vlora do mbetet bishti i fundit i kavallit dhe nuk do merrte kush me Vlorën. Ca se nuk kanë vizion zhvillimi dhe ca se do thonë akoma me Vlorën”, tha Rama.

Rama tha se “ky ishte arsyetim taktik njerëzish që gdhihen dhe ngrysen me punën, krijojnë punë dhe të ardhura për vete dhe të tjerët”.

“Nuk ishte takim tifozësh për të diskutuar apo zënë vendin në stadium. Ishte thelbi i asaj që unë mendoj se duhet të jenë këto zgjedhje dhe besoj se këto zgjedhje do të jenë kështu në Vlorë. Nëse ka një vend ku pse-ja e mandatit të tretë është e ilustruar në të 4 anët ku kthen sytë, është ky qark”, tha Rama.

“Kush e mendonte se do mblidheshim në këtë mjedis kaq të bukur kur këtu ishte një periferi e braktisur në mes të qytetit, një qendër historike, një lagje e degraduar e dorës së fundit dhe ku duhet të kaloje në rresht për një se nuk të linin torbat me mallra të përdorura që ishin në mes të rrugës. Mirëpo nëse këtej është kjo pamje fantastike që flet vetë jo vetëm si pamje, por edhe përmbajtje, sepse gjithë ato hapësira të braktisura ditë pas dite po kthehen në hapësira për biznes, punësim, shërbime dhe mikpritje, por po të kthesh kokën nga ana andej më matanë tek zona tjetër ku zhvillohet faza tjetër e këtij projekti, aty nuk jemi akoma në këtë nivel. Kush do ta bëj fazën tjetër, Leskua? Po erdhi Leskua këtu do mbytet aty e do ta marrin në krah në të gdhirë për ta çuar zvarrë në shtëpi jo të ketë Leskua këmbë e mendje të merret me pjesën tjetër. Thashë Leskua se nuk di kë tjetër të kap”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në skuadrën që kanë sjellë në Vlorë, asnjëri nuk është banor e nuk ka lidhje me Vlorën”.

Por, tha ai, “ka një emërues të përbashkët, amaneti i pronave të grabitura në kohën e Saliut”. “Ata kanë ardhur këtu si prëfaqësues të atij klani grabitësish të pronave të vlonajtëve dhe të lebërve dhe të himariotëve dhe sarandiotëve dhe të gjithëve me radhë në këtë bregdet për të risjellë këtu fantazmën që ngriti peshë Orikumin. Rikthimi i fantazmës së Orikumit është rezultati i votës për ata dhe këtu dua t’jua them shumë qartë atyre që janë vlonjatë të zakonshëm dhe që nuk e di se çfarë kërkojnë akoma kur thonë jemi me PD”, tha Rama.

Rama tha se vota për PD në Vlorë nuk është për interesin e tyre, por është votë për të risjellë ata që e bën çorap pronën në gjithë bregdetin dhe sot disponojnë me qindra e mijëra hektarë në letra dhe vijnë me një platformë që pikën e parë ka: do shfuqizojmë ligjin e pronës”.

“Ligjin që në fund arritëm ta aprovojmë, miratojmë edhe nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Këshillin e Europës të Strasburgut; ligjin që më në fund po u kthen tokat atyre që i ka lënë me gisht në gojë me dekada. Këta duan ta shfuqizojnë se e dinë se i pengon të vënë në lëvizje atë mekanizmin e tmerrshëm me të cilin u përballën mijëra familje, ato gratë në Orikum që u gdhinë në mëngjes dhe e panë Orikumin të rrethuar me llamarina për pallate me investitorë njerëz që as kishin lindur në atë tokë”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.