Miqësorja e Kombëtares së femrave/ Shqipëria barazon me Bosnjë-Hercegovinën

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e femrave ka zhvilluar këtë të premte një ndeshje miqësore ndaj Bosnjë-Hercegovinës, e luajtur në qytetin e Zenicës.

Në këtë transfertë, vajzat tona barazuan me rezultatin 0-0, me takimin që nisi në ora 16:00.

Skuadra e drejtuar nga Armir Grima zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë, duke dalë disa herë përpara portës kundërshtare por nuk arritën të kalonin në avantazh.

Fraksioni i dytë i lojës nisi me të njëjtën grintë nga vajzat kuqezi, por nuk mundën të shënonin.

Trajneri Grima e shfrytëzoi këtë miqësore për të aktivizuar futbollistet e thirrura në këtë grumbullim, për t’i parë në fushën e lojës dhe nivelin e skuadrës.

Shqipëria e nisi ndeshjen me këtë formacion: Viona Rexhepi (Antigona Hyska), Albina Rrahmani, Arbenita Curraj (Ilaria Zarka), Endrina Elezaj (Mikaela Metalla), Sara Maliqi, Mesuare Begallo (Klea Hamonikaj), Vanesa Levenaj (Xhulia Xhindole), Megi Doçi, Luçije Gjini (Valentina Troka), Armela Tukaj, Esmeralda Franja.

Kjo ishte ndeshja e parë e Kombëtares së femrave për këtë vit, ndërsa ndeshja e fundit e luajtur nga vajzat kuqezi ka qenë në dhjetorin vitit të kaluar për eliminatoret e Europianit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.