Çuçi: Qeverisja e PS, modeli më i mirë në këto 30 vjet tranzicion

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Bledi Çuçi, drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun Gjirokastër dhe kandidati për deputet në zgjedhjet e 25 prillit tha se “qeverisja e Partisë Socialiste është modeli më i mirë në këto 30 vjet tranzicion”.

Çuçi gjatë një bashkëbisedimi me banorë të fshatrave të Gjirokastrës, u shpreh se, “unë vetë kërkova të isha i treti në listë dhe madje në kundërshtim me të gjithë Kryesinë e Partisë Socialiste. E kërkova pikërisht për këtë gjë, që si drejtues politik të jem në vijën e parë të “luftës”, në mënyrë që të maksimizojmë votat dhe që të arrijmë të marrim një mandat të plotë qeverisës”.

“Kemi një kundërshtar përballë që nuk ofron asgjë. Edhe në qeverisjen vendore kemi modelin më të mirë”, tha Çuçi.

Duke u ndalur tek blegtoria, që është një nga sektorët kryesorë për banorët e Kolonjës dhe fshatrave përreth, Çuçi vuri në dukje se, “mbështetja që ka adresuar qeveria për blegtorinë është fakt. Sot fermerët kanë të garantuar matrikullim dhe vaksinim falas. Ndërkohë që është përcaktuar, të paktën për tre vite, 80 % e subvencioneve për bujqësinë t’i dedikohen blegtorisë”.

“Përveç kësaj, ne ngritëm një sistem që mos të kesh nevojë fare të njohësh asnjë, të kesh mik apo të paguash para nën dorë. Por të aplikosh nga celulari në e-Albania në Skemat e Mbështetjes”, tha Çuçi.

“Këtu në Kolonjë me sa u informova nga 37 fermerë që aplikuan, 34 kanë marrë pagesën dhe s’kanë pasur nevojë fare për letra e burokraci”, u shpreh ai.

Në vijim ai foli për projektin e rrugës që lidh Kolonjën me Golemin, si një nyje e rëndësishme për këtë zonë me impakt në zhvillimin e zonës.

“Do të shohim me prioritet gjatë mandatit të tretë rrugën që lidh Kolonjën me Golemin. Shqiptarët presin më shumë nga ne, sepse nga kundërshtarët tanë kanë kohë që nuk presin më asgjë”, – tha ai.

Ndërsa e vlerësoi programin IPARD III, si një mundësi e re për Shqipërinë. Në këtë thirrje ku qeveria ka negociuar për rreth 170 milionë euro grante nga Bashkimi Europian, agropërpunimi, tha Çuçi, zë një hapësirë shumë të madhe.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.