Kushi i kërkon ndryshimin e orës policore për muajin e Ramazanit/ Rama: I kemi bërë kërkesë Komitetit të Ekspertëve

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bisedë telefonike me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste në Elbasan, Evis Kushi.

Gjatë bisedës me Kushin, Kryeministri Rama bisedoi për situatën e fushatës elektorale në Elbasan.

“Situata duket shumë mirë, Elbasani mezi po pret ditën e votimit, kam besim që rezultati do të jetë shumë kuptimplotë këtë herë. Ndjehet optimizmi, fryma, mbështetja më shumë se herët e tjera. Jemi çdo ditë me njerëzit, ndonjëherë e kemi problem se duan të na bashkohen shumë njerëz, por duhet të zbatojmë rregullat antikovid”, – theksoi Kushi.

Madje, vijoi ajo, edhe tek të djathtët trokasim edhe na i hapin derën, na përgjigjen, një pjesë janë larguar prej tyre, pjesa tjetër, diskutojmë, kërkojnë.

“Njerëzit e shprehin që duan që puna të vazhdojë, nuk duan të kthehen mbrapa. Sidomos kjo ngjarja e fundit e aeroportit, e panë çfarë do të thotë të kthehesh pas në rrëmujë në paligjshmëri. Ka shkaktuar shumë pakënaqësi ngjarja e aeroportit”, – tha Kushi.

Kryeministri Rama u shpreh se, “edhe unë këtë ndjesi kam, sondazhet janë fantastike në Elbasan. Problemi është që nuk duhet të merremi me sondazhet, por me njerëzit”.

Sa i përket çështjes së aeroportit Rama tha se “ishte një çmenduri e vërtetë, por njerëzit duhet ta kenë parasysh që janë po ata, nuk është puna se ndryshon koha, por janë po ata, kjo është mënyra si i qasen shtetit, janë antishtet komplet”.

Më tej Kushi theksoi se “edhe mjekët e infermierët kur i takoj e kanë të qartë se çfarë do të thotë të kthehen pas se do të rrezikonin meritokracinë që mezi e ndërtuam. Çdo herë që i takoj janë shumë mirënjohës për portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” më të kënaqur janë prindërit, sepse ata e shikojnë si garanci se mësuesit e fëmijëve të tyre do të jenë të aftë e profesionistë”.

Rama tha se “po erdhën ata do fillojnë nga e para: kush je ti, çfarë tesere ke, ik se do vijë ky tjetri pa arsim përkatës”.

“Po këta xhagajdurët e kontrollit tokësor të Presidentit çfarë bëjnë?” – pyeti Rama.

Kushi tha se një pjesë e mbështetësve të LSI vazhdojnë të na bashkohen ne në fushatë, një pjesë shkojnë edhe tek PD.

Rama tha se “janë ata që i kanë rekrutuar me vende pune. Ki kujdes metodat e tyre, sidomos në ditët e fundit, sepse dihet ajo punë, është habi e madhe, se tamam bërtet hajduti kapni hajdutin. Do u presim duart atyre që blejnë vota. E ke parasysh tani, i bie që të dalin pa duar që nga ai e plot të tjerë”.

Kushi tha se qytetarët tanë presin projektet e reja sidomos projektin e lagjes “Kala”, kanë vite që presin.

Kryeministri Rama u shpreh se “do e bëjmë patjetër atë, se kemi edhe ministren e Arsimit nga ‘Kalaja’ s’kemi nga luajmë. Kalaja të mbështesë gocën e vet dhe ne mbështesim ‘Kalanë’ bashkë me gocën”.

Kushi i tha Kryeministrit Rama se ka një kërkesë nga qytetarët, që kanë merakun e orës policore, kërkojnë të shtyhet deri në orën 22:00.

Kreu i qeverisë tha se, “një kërkesë me një arsyetim se a mund të bëhet kjo, ia kemi bërë Komitetit Teknik, të shikojmë se çfarë do të thonë. Janë shumë të shqetësuar ata. Vaksinimi pa arritur numrat e mëdhenj fare duhet të shoqërohet me distancim dhe rregull”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.