MERILAND,3 prill /ATSH-DPA/ – Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, Jake Sullivan u takua me homologët e tij nga Koreja e Jugut dhe Japonia për të diskutuar politikën ndaj Koresë së Veriut dhe sigurinë në Indo-Paqësor.
Sullivan u takua me sekretarin e përgjithshëm të Sekretariatit të Sigurisë Kombëtare të Japonisë, Shigeru Kitamura dhe drejtorin e Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Koresë së Jugut Suh Hoon në Akademinë Detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Meriland.
“Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare ndanë shqetësimet e tyre rreth programeve bërthamore dhe balistike të Koresë së Veriut dhe përsëritën angazhimin e tyre për të adresuar dhe zgjidhur këto çështje përmes bashkëpunimit të përbashkët trepalësh drejt denuklearizimit,” theksoi Shtëpia e Bardhë në një njoftim për shtyp.
Negociatat e Uashingtonit me Phenianin rreth programit të tij të armëve bërthamore nuk kanë përparuar që nga takimi i dështuar i ish-presidentit Donald Trump me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në Vietnam në shkurt 2019.
Takimi trepalësh u zhvillua përpara bisedimeve kokë më kokë midis kryeministrit japonez Yoshihide Suga dhe presidentit amerikan Joe Biden në Uashington, ku çështjet e Kinës dhe Koresë së Veriut dhe bashkëpunimi drejt një rajoni të lirë dhe të hapur Indo-Paqësor do të jenë në fokusin kryesor.
”Më 16 prill, Suga do të bëhet udhëheqësi i parë i huaj që takon personalisht presidentin e ri të SHBA, i cili mori detyrën në janar në Shtëpinë e Bardhë”, tha zëdhënësi i qeverisë japoneze Katsunobu Kato. /os/























