Në të gjithë zonën e fshatit nuk duhet të aplikohet ora policore

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se duam të shkojmë në gjysmë milioni të vaksinuar brenda majit.

“Tani dhe vaksina po vazhdon me intensitet kështu që sezoni turistik do të çlirohet shumë dhe ne do të ngjitemi shumë shpejt në shkallët e larta të klasifikimit të vendeve të kontinentit tonë të Europës, për nivelin e vaksinimit dhe do ta shporrim dhe këtë të keqe të madhe në jetën tonë e do të ecim më shpejt përpara”, theksoi Rama.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të një prej fermerëve në një takim në Moravë, i cili kërkoi nga Komiteti Teknik i Ekspertëve të ngritjes së fashës orare për orën policore, pasi ora 20:00 i gjen fermerët në arë duke punuar, Rama tha se, “ai Komiteti s’më pyet as mua, as njëri, por e para një herë për ju s’duhet të jetë problem sepse fasha orare nuk pengon punën. Nëse aplikohet dhe iu pengon është aplikimi i gabuar dhe duhet ta zgjidhim sepse fasha orare nuk është për ata që janë në punë”.

Dhe për më tepër pastaj, shtoi Rama, “në të gjithë zonën e fshatit kjo nuk duhet të aplikohet për ata që janë në punë”.

“Megjithatë do ta shikojmë, konkretisht këtë gjë. Ka shumë kërkesa për rritjen e fashës orare. Nuk duhet të nxitohemi them unë për një arsye, sepse vendet e tjera. Franca pardje u mbyll prapë nga e para. Unë isha. Unë s’di ç’a do mbyllin më ata se isha në Paris dhe aty s’kishte fare as dyqane, as restorante, as kafe, zero. Dyqanet të mbyllura. Vetëm ushqimore kishte të hapura në Francë. S’e çfarë do mbyllin më shumë unë nuk e di”, tha Rama.

“Sepse është kjo vala e tretë që po flitet. Është versioni britanik, që ishte arsyeja pse u na rritën edhe ne sepse ka infektueshmëri 30 % më të lartë sesa versioni i mëparshme. Nuk është vdekjeprurës më shumë, po është njësoj si i mëparshmi. Ama ka infektueshmëri shumë të lartë. Dhe atyre po i fillon prapë historia e spitaleve, po iu bllokohen prapë spitalet se ka shumë kërkesa për spitale etj., etj.”, tha Rama.

“Kështu që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë moment që ta rrisim vaksinimin. Ne duam të shkojmë në gjysmë milioni të vaksinuar brenda majit. Dhe të pastaj do të ndjejmë një frymëmarrje”.

“Megjithatë është diçka që e dëgjoj dhe nga të tjerët. Do ta verifikojmë këtë pjesë dhe do të shohim sesi mund ta aplikojmë për zonën e fshatit. Se thonë pse ikën virusi ditën dhe vjen natën pas orës 8. Nuk është kjo. Problemi i natës lidhet me jetën e natës. Jo me punën. Jeta e natës, sidomos në qendrat urbane, në Tiranë etj, sjell shumë njerëz që bëhen mizë lisi nëpër klube. Edhe jeta e natës e ka dhe atë prirjen për t’u relaksuar për të qenë më pak të vëmendshëm etj., etj., se nuk është e njëjta gjë si të shkosh në një kafe në mëngjes, e si të mblidhesh në një klub nate këtë e dimë. Jeta e natës është problemi. Megjithatë do ta shikojmë dhe do të bëjmë më të mirën”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.