TIRANË, 1 prill /ATSH – I. Vata/ Kandidati për deputet i PS-së, Fidel Ylli, deklaroi sot se ne duam që Tiranës t’i japim dy deputetë më shumë, që do të thotë se nga 18 që ka pasur Tirana, pretendimi është 20 deputetë.
“Ne duam që Tiranës t’i japim dy deputetë më shumë që do të thotë se nga 18 që ka pasur Tirana, pretendimi është 20 deputetë dhe këtë e themi në bazën e fakteve dhe qytetarëve që takojmë në terren”, tha Ylli.
“Unë kam qenë këto tre mandate në zona rurale. Dhe këtu në zonën e Vorës ka probleme me ujin e dritat, por nuk i bëj premtime që nuk kam këllqe t’i mbaj, sepse data 25 erdhi, dhe 3 javë, por pas 25 nuk ke fytyrë të shkosh nëse nuk ua mban premtimet. Unë i kam bërë zonës time një premtim, i kam thënë do t’ju bëj dritat dhe këtë premtim ma ka bërë Kryeministri dhe i thashë nëse ai do më gënjejë, jam i detyruar t’ju gënjej edhe unë”, tha ai.
Duke folur për problematika që has sot zona e Vorës, Ylli tha se për fat të keq ia lamë LSI, që do të thotë se për katër vite bashkinë Vorë e kishte Partia Demokratike.
“Nuk është se e ka ajo fajin dhe unë mbaj përgjegjësitë e mia dhe Kryeministri që në fillim kur ka vajtur në Vorë, u ka kërkuar ndjesë banorëve të Vorës dhe i ka thënë që 8 vjet, e kemi pasur në vëmendje, por jo aq sa duhet dhe për këtë arsye kam ndërruar të gjithë shtabin elektoral që nga kryetarët e bashkisë, të partisë, deputetë dhe ka filluar investimi me linjën 20 kV”, tha ai.
Sa i përket procesit të vaksinimit, Ylli tha se motoja e PS është jeta dhe shëndeti i qytetarëve, ndaj pritet që në qershor të jenë 500 mijë qytetarë të vaksinuar.
“Në qershor do të kemi 500 mijë qytetarë të vaksinuar. Pra gara jonë është vaksinimi i njerëzve, ndërsa Basha do t’i infektojë me ato mitingje që bën. Qoftë vaksinat kineze që erdhën nëpërmjet Turqisë, është meritë e kryeministrit të Shqipërisë, qoftë ‘Pfizer’ janë mendja e Kryeministrit që vajti kohë përpara. Moto jonë kryesore është jeta dhe shëndeti i qytetarëve tanë. Ne kemi synim të hapim turizmin e hotelet. Kjo është politika e Edi Ramës”, tha ai. /j.p/r.e/























