Ballina Flash

Topalli: Lista e kandidatëve është e Bashës jo e PD-së, nuk u pyetën strukturat

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Ish-kryeparlamentarja Jozofina Topalli, e cila në zgjedhjet e 25 prillit drejton një forcë të re politike, Lëvizja për Ndryshim, deklaroi se lista e deputetëve të PD është lista e Bashës, jo e Partisë Demokratike, pasi strukturat nuk janë pyetur.

Ajo u shpreh në një intervistë televizive se, “kandidatët për deputetë janë të Lulzim Bashës jo të PD. Nuk ka pasur forume që janë marrë me këtë. Ato komisione që janë ngritur janë hedhur poshtë nga vetë Lulzim Basha, janë asgjesuar, në mënyrë fyese. Janë rikthyer emrat që ishin përjashtuar dhe është përjashtuar e gjithë anëtarësia që u thirr për të votuar. Dhe kjo është tallja vetëm e fundit në fakt që bën me partinë e tij”.

“Në këtë aspekt kanë një detyrë secili prej tyre që del dhe kanë vetëm një armik dhe armiku i tyre nuk është Edi Rama, armiku i tyre është Jozefina Topalli dhe kanë të njëjtat fjalë dhe kanë të njëjtin artikulim. Janë detyruar që të thonë që Jozefina është e shitur tek Edi Rama, po i bën shërbim Edi Ramës, që Jozefina është njeriu që po dëmton PD-në”, tha Topalli.

Topalli u shpreh se, “sjellja e opozitës është e përqendruar tërësisht në duart e atij që është kryetari i asaj që mban siglën PD. Por një moment kur je në fushatë elektorale dhe asnjë nuk bën bilancin, i pari të qeverisjes dhe i dyti të të gjithë pushteteve që i ka dhënë kryeministrit kur kishte për detyrë për të dhënë dhe për të kryer misionin e opozitës tregon dhe një herë për krizën e madhe në të cilën është spektri politik shqiptar. Krizë që përbën thelbin mbi të cilat të gjithë proceset pastaj, ekonomike, sociale, politike kanë një rënie dhe kanë një degradim që kanë çuar në një perceptim të opinionit publik të cilët janë të ngopur me këto 3 kryetarë”, tha Topalli.

Në lidhje me koalicionin pas zgjedhjeve, Topalli tha se, “çdo mandat që ne do marrim do shkojë tek spektri i djathtë, pavarësisht se aty shkon dhe LSI-ja dhe kjo është një gjë tjetër. Por me një kusht dhe unë e përsëris vazhdimisht. Kushti i vetëm është që kryeministri i ardhshëm të jetë i pakorruptuar”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVijon pa u ndalur vaksinimi masiv antikovid/ Dita e dytë përfundon me shifrën e bukur 20414 vaksinime
Artikulli tjetërFOKUS – Ekonomia e eurozonës në rimëkëmbje nga TII 2021