Ballina Flash

Dita e parë e vaksinimit masiv, Manastirliu: 11,487 vaksinime në të gjithë vendin


TIRANË, 28 mars/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në mbyllje të ditës së parë të vaksinimit masiv, tha se janë kryer 11,487 vaksinime në të gjithë vendin.

“Përgjatë ditës së sotme, jo vetëm që e kemi arritur targetin që kishim vendosur, prej 10 mijë vaksinimesh, por madje e kemi kapërcyer atë. Kemi arritur në 11,487 të vaksinuar përgjatë kësaj dite”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se procesi i vaksinimit do të intensifikohet në të gjithë vendin, për të vaksinuar të gjithë grupet e përcaktuara, sipas planit kombëtar të vaksinimit.

“Ne do të vijojmë përgjatë gjithë kësaj periudhe me intensifikimin e procesit të vaksinimit, duke vijuar vaksinimin e mësuesve, pedagogëve, edukatorëve të kopshteve dhe çerdheve. Gjithashtu do të vijojmë me vaksinimin masiv të grupmoshës +70 vjeç, qoftë në qendra shëndetësore, qoftë në këto pika të vaksinimit të përqendruara”, tha Manastirliu.

Gjatë komunikimit direkt nga sheshi Skënderbej, Manastirliu u ka bërë apel të moshuarve që të kontaktojnë me mjekun e familjes.

“Mjeku i familjes do t’ju njoftojë për datën, vendin dhe orën e vaksinimit. Është vetëm mjeku i familjes ai që ka regjistrin elektronik dhe nëpërmjet regjistrin elektronik nxjerr dhe të gjithë listën e personave që i përkasin fashave të përcaktuara, sipas grupmoshës për vaksinim”, apeloi Manastirliu.

Në të gjithë vendin janë kryer rreth 78,000 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe arsimtarët. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Familjet nënshkruajnë kontratën për banesat në lagjen e re KombinArt
Artikulli tjetërNis vaksinimi masiv/ Njerëzit ndjehen të çliruar psikologjikisht, nuk do kërkohet pasaportë vaksinimi për turistët