Nis vaksinimi masiv/ Njerëzit ndjehen të çliruar psikologjikisht, nuk do kërkohet pasaportë vaksinimi për turistët

TIRANË, 28 mars/ATSH/ Në Shqipëri nisi sot vaksinimi masiv për popullsinë e grupmoshës mbi 70-vjeç.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi dy çadrat e ngritura në sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës.

Rama tha se, “objektivi i qeverisë është vaksinimi i 500 mijë qytetarëve brenda muajit maj, në mënyrë që të bëhet e mundur goditja e hallkave të zinxhirit të transmetimit të virusit Sars-Cov-2”.

“U hap rruga për vaksinimin masiv dhe të shpejtë. Të gjitha qendrat shëndetësore kanë filluar vaksinimin. Janë dhe këto pika që ndihmojnë, objektivi ynë është që brenda majit të kemi të vaksinuar 500 mijë qytetarë, kemi vënë qershorin si afat të mos na thoni pse se mbani fjalën, por brenda majit kam bindjen që do të jenë vaksinuar”, tha kryeministri.

Sipas Ramës, është siguruar sasi e konsiderueshme vaksinash dhe vijojmë punën për të siguruar të gjithë sasitë e nevojshme për të bërë të mundur që ky sezon turistik të jetë i lehtësuar.

“Shpresoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar. Kemi bindjen që deri në pranverën e ardhshme do të jetë e vaksinuar e gjithë popullata, por mendojmë se mund ta bëjmë më shpejt”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se njerëzit janë të lirë të vendosin nëse duan të vaksinohen.

“Njerëzit ndjehen të çliruar psikologjikisht dhe çlirimi i tyre nga ky stres është kënaqësia më e madhe që kam marrë që kur kam hyrë në politikë. Nuk do të kërkohet pasaportë vaksinimi për turistët”, tha Rama.

Manastirliu bëri të ditur se në çdo post vaksinimi janë 4 bokse vaksinimi. Ajo theksoi se objektivi ynë është të arrijmë në mbi 10 mijë vaksina në ditë.

Qytetarë të shumtë shprehën mirënjohjen e tyre që u bënë pjesë e vaksinimit.

“ E bëra vaksinën, por nuk iki në shtëpi pa të thënë dy fjalë, në momentin e duhur në vendin e duhur Shqipërisë ju gjet njeriu i duhur”, iu drejtua një prej tyre kryeministrit.

Manastirliu ka bërë me dije se janë shpërndarë të gjitha dozat e vaksinave në gjithë Shqipërinë.

“Ka filluar vaksinimi i të moshuarve në qendrën e vaksinimit masiv, janë mobilizuar mjekët, infermierët, vaksinatorët tanë dhe të forcave të armatosura. Dozat e vaksinave janë shpërndarë në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Në sheshin “Skënderbej” janë angazhuar 88 vaksinatorë për të kryer rreth 1000 vaksinime, ndërsa bashkë me qendrat shëndetësore të Tiranës pritet të kryhen rreth 3 mijë vaksinime sot.

Në të gjithë vendin synohet të kryhen rreth 10 mijë vaksinime në ditë. Sipas grupmoshave, bazuar në planin kombëtar të vaksinimit, vijohet fillimisht me grupmoshën +85 vjeç dhe +80 vjeç të cilët do të vaksinohen në qendrat e tyre shëndetësore, ndërsa grupmosha +75 vjeç dhe duke zbritur tek ajo +70 vjeç, do të vaksinohen në qendrat e vaksinimit të përqendruar.

Që prej fillimit të procesit të vaksinimit, në të gjithë vendin janë kryer mbi 65 mijë vaksinime.

 

/a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.