Ballina Flash

400 pallate të rikonstruktuara në Durrës

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, janë 400 pallate në Durrës që janë riparuar përfundimisht dhe në këto 400 pallate familjet jetojnë normalisht sot.

Duke folur në aktivitetin “Kënd fjale në qytetin e Durrësit”, Rama u shpreh “këtu në Durrës ne kemi një punë për të mbaruar me rindërtimin sepse ndërkohë që flasim ka familje që janë kthyer patjetër”.

“Janë 400 pallate në Durrës që janë riparuar përfundimisht dhe në këto 400 pallate familjet jetojnë normalisht sot dhe duke qenë se kanë përfituar nga grantet e riparimeve dhe duke qenë se në ndërkohë ne kemi ndërhyrë dhe për mjediset e brendshme jetojnë në pallate më të mira sesa deri dje, përpara tërmetit”, u shpreh Rama.

Ashtu sikundër, theksoi Kryeministri, “ka të tjera familje që kanë filluar të hyjnë në banesat individuale. Por ka plot akoma që presin qoftë për rindërtimin e plotë të pallateve me dëme të rënda, që janë dhe një pjesë shumë e vështirë se është njësoj si të bësh një pallat nga e para, nga pikëpamja e projektit dhe e kohës, qoftë ata që janë në shtëpitë me qira dhe presin të hyjnë në apartamente”.

“Pa llogaritur këtu përfundimin e të gjithë projekteve të shkollave, të kopshteve, të çerdheve që vazhdojnë”, shtoi Rama.

“Si mundet politika, apo arsyet politike të cilado qofshin ta ndërpresin këtë punë në mes? Unë besoj që nuk mundet dhe jam i bindur që nuk do ta ndërpresin”, tha Rama.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHeqja e taksës mbi pagën deri në 400 mijë lekë, zero taksë e TVSH për biznesin e vogël/ Domosdoshmëri vijimi i punëve të nisura
Artikulli tjetërPrinci Albert i Monakos: Intervista e Meghan dhe Harry, e papërshtatshme