Basha: Do angazhohemi për vetingun e politikanëve, 25 prilli dita e ndryshimit

TIRANË, 21 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “PD qëndron garant për të bërë realitet zotimet për vetingun e politikanëve në mënyrë që t’ia kthejmë politikën njerëzve”.

Në një intervistë televizive, Basha komentoi akuzat e ngritura ndaj kandidatit të PD-së në Shijak.

Basha tha se “Partia Demokratike është hartuesja e ligjit për dekriminalizimin”.

“Unë personalisht kam zhvendosur nga listat tona persona për shkak të indicieve në të kaluarën dhe do ta bëj këtë sa herë që të jetë e nevojshme dhe kjo është arsyeja se pse rast pas rasti kam kërkuar unë vetë verifikim nga autoritetet. Pra, është hipokrizi e madhe të presësh moralizim nga një forcë politike dhe nga një njeri që kriminalizoi forcën e tij politike”, tha ai.

“Garancia që shqiptarët kanë është që me votën e tyre me 25 prill do të votojnë për një kryeministër dhe për një qeveri që do të bëjë vetingun e politikanëve dhe do të zbatojë ligjin për dekriminalizimin. Pa e luftuar korrupsionin, pa ndarë politikën nga krimi, Shqipëria nuk mund të ecë përpara. Nuk mund të ketë fytyrë njerëzore as kryeministri i ardhshëm, as qeveria e ardhshme nëse është peng i krimit”, tha ai.

I pyetur mbi thyerjen e masave antikovid gjatë takimeve të tij elektorale, Basha tha se “rreziku mё i madh pёr jetën nё këto 8 vite ka qenë vet Edi Rama”. “Ky rrezik ёshtё shumëfishuar nё mënyrën se si ai e keqmenaxhoi pandeminë. Nuk është dhënë ndihma minimale ndaj bizneseve që janë shtyrë drejt falimentit apo kanё pezulluar aktivitetin. Nuk është dhёnё ndihma minimale pёr familjet”, tha ai.

Lidhur me marrëveshjen me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Basha tha se “nuk ka asgjë që na ndan, as ne dhe as shqiptarët”.

“Ne na bashkon dëshira për ndryshim, dëshirë që e prek kudo. Në fakt nëse mund ta them për shumë njerëz ndryshimi ka filluar prandaj i shikoni me sytë e mbushur me shpresë. Me këtë lëvizje që ndiej kudo jam i bindur se ky bashkim do të jetë historik, në kuptimin do të jetë bashkimi më i madh i shqiptarëve dhe do të jetë një mësim i mirë për këdo që mos ta provojnë më kurrë që një njeri i vetëm apo një grusht njerëzish të monopolizojnë pushtetin, ekonominë, të varfërojnë njerëzit. Ajo që na bashkon është dëshira për ndryshim, si parti politike dhe si shqiptarë. Dhe 25 Prilli është dita e ndryshimit me votë”, tha ai.

Basha komentoi edhe reagimin e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili ka hedhur në rrjetet e tij sociale hartën e Kosovës të mbivendosur edhe flamuri serb.

“Deklarata e presidentit Vuçiç, ishte një deklaratë e shekullit të kaluar, e cila dëmton klimën e stabilitetit dhe të përparimit të vendeve të rajonit dhe shkon në kundërshtim të plotë me aspiratat e popujve të rajonit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe Kosova e pavarur do të jetë me ndihmën e partnerëve tanë strategjik dhe me ndihmën e Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare nesër anëtare me të drejta të plota në NATO dhe në Bashkimin Europian”, tha ai. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.