TIRANË, 19 mars /ATSH/- Gjykata e Lartë i uroi sot mirëseardhjen 4 gjyqtarëve të rinj të dekretuar nga Presidenti i Republikës.
“Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë shpreh kënaqësinë për emërimin dhe dekretimin e katër anëtarëve më të rinj të saj”, thuhet në një njoftim të Gjykatës së Lartë.
“Gjykata e Lartë i uron mirëseardhjen Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi”, thekson Gjykata e Lartë.
“Jemi besimplotë se anëtarët e rinj do të sjellin me vete përkushtimin e tyre, integritetin dhe ndershmërinë, në shërbim të funksionalitetit te Gjykatës së Lartë dhe rritjes së besimit të publikut tek drejtësia”, theksohet në njoftim.
Presidenti Meta vendosi që Sokol Binaj të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë, Albana Boksi të emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë, Sandër Simoni të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe Klodian Kurushi të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Së bashku me këto 4 emërime të reja, Gjykata e Lartë nga sot bëhet me 7 anëtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së. /j.p/






















