TIRANË, 17 mars /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti ambasadorin e ri të Rumanisë, Octavian Serban.
Pasi e uroi ambasadorin Serban për detyrën në Shqipëri dhe shprehu besimin për kontributin e pritshëm të tij në zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, Ruçi vuri në dukje se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rumanisë janë shumë të mira dhe mbështeten në lidhjet historike midis dy popujve.
Kryetari Ruçi shprehu mirënjohjen për ndihmën e menjëhershme që qeveria rumune ofroi Shqipërisë pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit 201, nëpërmjet dërgimit të ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe ekspertëve të verifikimit të dëmeve.
“Rumania ka qenë dhe mbetet një vend mik dhe partner i Shqipërisë. Përveç avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit politik, rritja dhe diversifikimi i shkëmbimeve tregtare, investimeve rumune në prodhimin e energjisë elektrike, ndërtimin e infrastrukturës në energji (HEC-ve), industrinë e erës, industrinë kimike, tekstile, agrobiznes, etj., duhet të jenë disa nga prioritetet e bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e fuqishme të Rumanisë, të Parlamentit dhe Senatit, për integrimin europian të Shqipërisë. Rumania, si vend anëtar i BE, dhe Shqipëria, si vend kandidat në BE, konsiderojnë si thelbësore për rajonin integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. BE duhet të ndryshojë qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ta konsiderojë këtë rajon ashtu siç është, pjesë integrale të qytetërimit europian, të Europës kulturore dhe politike”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Ambasadori Octavian Serban falendëroi Kryetarin Ruçi për pritjen e ngrohtë dhe vlerësimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit me Rumaninë.
“Jam i lumtur të shërbej në Shqipëri, në një kohë të rëndësishme për Shqipërinë, në pritje të fillimit të negociatave të anëtarësimit. Rumania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në të gjitha hapat e mëtejshme të integrimit europian”, theksoi ambasadori Serban.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ambasadori Octavian Serban diskutuan edhe për nxitjen e bashkëpunimit ndërparlamentar, si një instrument i rëndësishëm i fuqizimit të bashkëpunimit dypalësh.
/r.e/























